Muaji i Ramazanit, si shiu i butë i pranverës

80

Nga Hasan BAFTIJARI
Gjendemi në çastet përplot begati të muajit të Ramazanit dhe pranë detit të pafund të mëshirës hyjnore. Në këto ditë, frymëmarrja jonë konsiderohet tes’bih, kurse ibadetet dhe lutjet tona pranohen më lehtë se në çdo kohë tjetër. Ramazani është muaji i pastrimit të shpirtit dhe qëndrimit larg mëkateve. Në këtë muaj zhduken shumë mëkate dhe Zoti mbulon shumë të këqija dhe të meta të robërve të Tij të mirë. Nuk ka ndjenjë më të bukur se ajo kur njeriu ndjen mëshirën dhe faljen hyjnore.
Muaji i Ramazanit është si shiu i butë i pranverës, i cili bie mbi shkretëtirën e thatë. Ejani që shkretëtirën e shpirtit tonë ta vadisim me këtë shi jetëdhënës. Tani që problemet dhe vështirësitë e jetës na kanë lodhur dhe shqetësuar, Ramazani është një rast i veçantë për të dalë nga pëlhura që na ka rrethuar trupin dhe shpirtin. Megjithëse këto çaste të ndritura kalojnë shumë shpejt, i rikujtojnë njeriut marrëveshjen me Zotin dhe të jetuarit në Rrugën e Drejtë. Ramazani është përplot me çaste të bukura, të cilat nuk mund të shpjegohen me fjalë, por që duhen shijuar. Ramazani është qetësues i zemrave, që me pendim të sinqertë fluturojnë drejt qiellit të mëshirës hyjnore. Ky muaj i dashur qëndron pranë nesh disa ditë dhe disa net, dhe dalëngadalë largohet. Syfyret e ndritura, iftaret plot begati dhe çastet përplot me sekrete të agimit, krijojnë një ambient të mbushur plot spiritualitet dhe pastërti dhe mundësojnë fillimin e një përvoje të re. Në këtë botë përplot trazira, njeriu më shumë se kurrë ka nevojë për t’u çliruar nga monotonia, të merret pak me veten dhe të mendojë për qëllimet e krijimit. Të gjithë e dimë se njeriu, përveç nevojave materiale, ka edhe nevoja dhe kërkesa të shumta shpirtërore. Nëse këto nevoja lihen në harresë, njeriu pëson dëm të pakompensueshëm. Njëri prej qëllimeve të agjërimit në muajin e bekuar të Ramazanit është që njeriu të çlirohet nga tufani i jetës spirituale. Muaji i Ramazanit na mëson se si të qëndrojmë përballë veprave të cilat na udhëzojnë drejt rrugës së gabuar. Ky muaj i shtrenjtë me të gjithë potencialin që ka, i mundëson njeriut që në çdo vend të ndjejë prezencën e Zotit. Në këtë muaj të bekuar, shpirti i njeriut pastrohet në burimin e kthjellët të mëshirës së Allahut. Në këtë rast, njeriut i lind një kënaqësi të cilën nuk dëshiron ta ndërrojë me asnjë kënaqësi tjetër në këtë jetë.
E pyetën profetin e Zotit, se cilat janë veprat më të mira në këtë muaj. Ai (a.s.) tha: “Puna më e mirë është ruajtja nga gjërat që ka ndaluar Zoti. Pra, njeriu të mos e bëjë atë që e ka ndaluar Zoti”. Tani në muajin e Ramazanit është krijuar një mundësi e re, që të rishikojmë mendimet, sjelljen dhe ndjenjat tona. Kurani, si Libri më i plotë hyjnor, është udhëzues për njerëzit. Në ajete të ndryshme të këtij Libri, Zoti ka përmendur veçoritë e besimtarëve dhe njerëzve të mire, duke premtuar se këto veçori njeriun e çojnë drejt lumturisë dhe progresit në sfera të ndryshme. Njëra prej veçorive të njerëzve të shëndoshë dhe të mirë është besimi i tyre i patundur në Zotin e Plotfuqishëm. Zoti, në ajetin 9 të sures Ankebut, kusht për hyrjen në mesin e njerëzve të mirë i ka vendosur besimin dhe veprat e mira. Në këtë ajet lexojmë: “E ata që besuan e bënë vepra të mira, ata do t’i radhisim ndër më të mirët.” Besimtarë të vërtetë janë ata njerëz të cilët kanë një zemër të mbushur me dashuri për Zotin dhe vazhdimisht e madhërojnë dhe adhurojnë Zotin. Ata, nën hijen e besimit dhe bindjes që kanë në Zotin Fuqiplotë, veten e ndjejnë shumë të siguritë dhe ndjejnë një qetësi të paparë. Besimi, si një mbrojtës i fuqishëm, njeriun e ruan nga dëmtimet shpirtërore dhe morale. Njerëzit punëmirë janë njerëz të shëndoshë edhe nga aspekti shpirtëror dhe psikik. Përvoja ka treguar se besimi në Zotin Fuqiplotë, njeriut mund t’i falë qetësi dhe siguri. Nga këndvështrimi i njerëzve besimtarë, bota nuk është një përmbledhje elementesh të kotë dhe pa vlerë, por është një sistem i cili ndjek një qëllim të caktuar. Ai i cili nuk beson në prezencën e Zotit në gjithësi, padyshim që ndjen një boshllëk dhe kjo ndjenjë negative ndikon edhe në sjelljen e tij. Në anën tjetër, njeriu besimtar, ka një vështrim pozitiv ndaj botës dhe ky vështrim atij i fal një lloj gëzimi dhe qetësie. Nga këndvështrimi i një njeriu të tillë, Zoti Fuqiplotë është burimi i të gjitha të mirave dhe bukurive në gjithësi. Ai është Zoti i Gjithmëshirshëm që në kulmin e fuqisë dhe madhështisë qëndron pranë robërve të Tij, dëgjon dhe lutjet e tyre. Kjo ndjenjë, bën që besimtarët të gëzojnë shëndet më të mire, shpirtëror dhe psikik. Një dijetar thotë në lidhje me këtë: “Sa më shumë që besimtarët të kenë besim të fortë, aq më shumë mbrohen nga sëmundjet psikike. Nga shenjat e besimit fetar tek njeriu është mendja e qetë. Besimi zhduk shqetësimin dhe njeriut i fal qetësi”.


Muaji i Bekuar i Ramazanit është rasti më i mirë për kultivimin e gonxhes së besimit në tokën e ekzistencës tonë. Lusim Zotin Fuqiplotë që të na falë dhe forcojë besimin në zemrat dhe shpirtin tonë!
Muaji i Allahut në vete ngërthen veçori të posaçme. Ky muaj i ngjan një qyteti, i cili për çdo vit pret vetëm për një muaj mysafirët e Zotit. Çdo cep i këtij qyteti përfundon tek Zoti, kurse ai është i vjetër sa vet zanafilla e njeriut. Gjatë muajit të Ramazanit, engjëjt janë në shërbim të mysafirëve të gostisë hyjnore. Ato vazhdimisht përkujtojnë dhe përmendin Zotin dhe vlerësojnë mysafirët e tij. Pëshpëritja e vetme e engjëjve është kërkesa e udhëzimit dhe lumturisë për mysafirët dhe Zoti me kënaqësi pranon këtë lutje të tyre për robërit e Tij. Në muajin e Allahut, djalli dhe shokët e tij nuk lejohen të marrin pjesë në këtë gosti. Mysafirët e kësaj gostie, në një qetësi të këndshme bisedojnë me Zotin e tyre dhe nën hijen e mëshirës së Tij, kërkojnë rrugën e lumturisë. Muaji i Allahut është muaj i lutjeve dhe afrimit me Allahun Fuqiplotë. Në këtë muaj, për shkak të përkuljes dhe bindjes ndaj Zotit, shpirtrat fitojnë një ekuilibër më të madh. Mysafirëve të Zotit u është dhënë premtimi se, nëse ata gjatë këtij muaji, nga mëngjesi deri në mbrëmje heqin dorë nga ushqimi dhe pija, Zoti ata do t’i ngjisë me kupën e mëshirës së Tij. Si rrjedhim, mysafirët mbyllin gojën përballë çdo ushqimi dhe nuk flasin asnjë fjalë të papërshtatshme. Gjëja e vetme që dëgjohet janë lutjet dhe adhurimet dhe zëri i këndshëm i leximit të ajeteve kuranore. Era e këndshme e Ramazanit dhe e të qenurit rob i të Gjithmëshirshmit, e mbush përplot me aromë këtë muaj të bekuar. Ata që hyjnë në muajin e Zotit, me njëri-tjetrin janë të mëshirshëm, në buzë kanë buzëqeshje dhe sa më shumë që u shtohet uria, atyre aq më shumë u shtohet vullneti për të ushqyer të uriturit. Në lutjet dhe namazet e tyre, ata vazhdimisht luten për falje dhe mëshirë. Ky muaj, është muaji i Ramazanit. Më i miri ndër të gjithë muajt. Çastet e tij janë çastet më të mira dhe ditët dhe netët i ka më të mira së çdo kohë tjetër. Kur fryn era e lehtë e Ramazanit, butësia e saj i përfshin të gjithë. Në këtë moment, çdokush mund të hyjë në gostinë hyjnore dhe duke hequr dorë nga mëkatet, mund të shijojë kënaqësinë e jetës. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”
Në çdo shtëpi, në çdo xhami dhe madje në mbarë popullin musliman, mbizotëron një atmosferë e veçantë. Muslimanët mezi e presin ardhjen e Ramazanit dhe ndjejnë një lloj trishtimi kur ditëve të këtij muaji u vjen fundi. Le të fillojmë të jetojmë një muaj devotshmërie në këtë Ramazan, me qëllim që t’i shmangim gjembat që na zënë udhën në formën e tundimeve që i hasim si në mendje ashtu edhe në shoqëri. Ta shtojmë studimin e Kuranit në këtë muaj. Thuhet se, kur do dikë, di edhe imtësitë më të hollësishme që ai thotë, se çka i pëlqen dhe çka nuk pëlqen. Kësisoj, si mund të pohojmë se e duam Allahun e Madhërishëm, kur ende dimë shumë pak rreth mesazhit të Tij dhe mirësive që na ka dhuruar? Ramazani është një rast i rrallë për një reflektim të thellë në mesazhin e Kuranit. Muaji i Ramazanit është moment i fillimit të shpalljes së Kuranit, prandaj edhe quhet muaji i Kuranit, i shpalljes, i profetësisë.
Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit çdo njeri mundohet që të gjejë ndonjë rrugë dhe mënyrë për t’iu afruar Zotit. Muaji i Ramazanit është muaji i lutjes dhe vazhdimit të marrëveshjes me Zotin. Muaji në të cilin robi në prezencë të Zotit pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë, dhe me respekt dhe afrim tek Ai e shkatërron murin e mendjemadhësisë. Mjafton që njeriu të ulet ne tryezën e mirësive shpirtërore të këtij muaji dhe të përfitojë nga ajo.
Tani në muajin e bekuar të Ramazanit është shtruar tryeza e mëshirës dhe Zoti i fton robërit e vet që të marrin pjesë në këtë mikëpritje. O Zot, me zemër të mbushur plot shpresë në mirësinë Tënde, jemi nisur drejt shiut të butë pranveror, që të përfitojmë nga deti i pafund i mëshirës Tënde! O Ti, që ke fuqi absolute dhe dijeni mbi të gjithë gjërat!