“ALBANIA ABA” – Shoqata Shqiptare e Analizës së Aplikuar të Sjelljes

58

Nga Psikologe Anjeza Dishnica, Drejtuese e Programit ABA

Shoqata “ALBANIA ABA” apo Shoqata Shqiptare e Analizës së Aplikuar të Sjelljes është krijuar me misionin për të përhapur, promovuar dhe aplikuar metodën e Analizës së Aplikuar të Sjelljes për promovimin e mirëqënies njerëzore dhe avancimin e kësaj metodë në Shqipëri. Themelimi i “ALBANIA ABA” ishte nevojë imediate në mënyrë që të ndihmojë në promovimin e praktikës profesionale të  kësaj metode në vendin tonë.

“Albania ABA” synon të rrisë ndërgjegjësimin shoqëror dhe të këshillojë apo lobojë pranë institucioneve vendimmarrëse (politike, legjislative dhe ekzekutive) për  institucionalizimin e edukimit dhe të trajnimit të profesionistëve në këtë metodë për aq sa lidhet me fushën e edukimit dhe të shëndetit mendor në Shqipëri.

Ajo promovon standardet profesionale në aplikimin e metodës së  Analizës së Aplikuar të Sjelljes (ABA) dhe promovon kërkimet shkencore në këtë metodë.

39305_358171314286786_1786717880_nNumri i kufizuar i profesionistëve të trajnuar në “Analiza e Aplikuar e Sjelljes” si dhe rritja e nevojave të profesionistëve të trajnuar dhe formuar në këtë fushë, na kanë shtyrë në ndërmarrjen e kësaj nisme. Në misionin e shoqatës “ALBANIA ABA” është edhe trajnimi i profesionistëve të edukimit dhe shëndetit mendor, si dhe në të njëjtën kohë të lehtësojë bashkëpunimin midis profesionistëve qe kërkojnë të aplikojnë këtë shkencë.

Specifikisht, “Albania ABA”:

a) Shërben si një reference shkencore e profesionale për anëtarët e saj dhe grupet e interesit, si një disiplinë në të cilën përfshihen parimet dhe praktikat e analizës së sjelljes.

b) Shpërndan informacionin për të promovuar misionin e saj, në një audiencë më të gjerë, si në rajonet shqipfolëse që rrethojnë Shqipërinë, nëpërmjet botimeve dhe publikimeve të materialit shkencor dhe profesional. Botimi i këtij materiali duhet të jetë i përkushtuar arritjeve shkencore, teknologjike dhe arritjet e aplikuara, brenda qëllimit të Analizës së Aplikuar të Sjelljes dhe të ketë rëndësi dhe interes për anëtarësinë apo audiencën e interesuar për aplikimin e kësaj metodologjie shkencore.

c) Organizon takime periodike me anëtarët, të paktën një takim vjetor, për të ofruar një forum për diskutime në çështjet e shoqatës lidhur me aplikimin e metodologjisë së Analizës së Aplikuar të Sjelljes.

d) Trajnon profesionistë në aplikimin e metodës ABA.

e) Vendos bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare në mënyrë që të përçohet mbështetja, trajnimi dhe këshillimi në metodën ABA.

f) Organizon konferenca dhe seminare për aplikimin e metodës ABA.

Çfarë është Analiza e Aplikuar e Sjelljes?

294633_277259839044601_545932305_nAnaliza e Aplikuar e Sjelljes (Applied Behavior Analysis) është studimi i sjelljes. Ajo është një strategji e testuar dhe e bazuar shkencërisht mbi të dhëna në edukimin e personave me çrregullime të zhvillimit. Praktikat e ndërhyrjes kanë evoluar mjaft dhe aktualisht ndërhyrjet e ndikuara nga orientimi i sjelljes (ABA) shfaqen sot si më efikaset dhe domethënëset për fëmijët me çrregullime të zhvillimit kur fillohen hershëm dhe bëhen nga stafe profesionistësh të formuar në metodat e sjelljes.

Ndërhyrja e sjelljes është një program i strukturuar që buron nga një qasje globale, e cila synon të ndërhyjë për të zhvilluar aftësitë dhe për të ndryshuar sjelljet handikape.

Programi Analiza e Aplikuar e Sjelljes (ABA) ka si objektiv kryesor të mbështesë edukimin e fëmijëve me çrregullime të zhvillimit nëpërmjet përdorimit të parimeve të të nxënurit dhe motivimit nisur nga shkenca e analizës së sjelljes dhe nga procedurat dhe teknologjia që rrjedh prej këtyre parimeve. Stafet e këtij programi japin mbështetje direkte duke përdorur metodologjinë e tij dhe duke përfshirë implementimin e kurrikulave të individualizuara të instruksionit dhe programeve të sjelljes.

Çfare teorie qëndron pas saj?

392630_358171834286734_2048564947_nShumë ekspertë mendojnë se fëmijët me çrregullime të zhvillimit kanë më pak mundësi për të mësuar nga ambienti natyror i përditshëm. Analiza e Aplikuar e Sjelljes (ABA) synon të sigurojë mundësi të të nxënit duke u fokusuar në të nxënit e instruktuar dhe konsiston në përforcues. Kjo qasje mund të ndihmojë këta persona të jenë më të pavarur dhe të kenë një jetë sociale.

Analiza e Aplikuar e Sjelljes (ABA) është konsideruar nga kërkues të shumtë dhe klinicistë si qasja më efektive për fëmijët me çrregullime të spektrit autik. Këto kërkime tregojnë se rreth 50% e fëmijëve me çrregullime të zhvillimit, të cilët janë trajtuar para moshës 4 vjeç, kanë pasur rritje domethënëse  të koeficientit të inteligjencës, të aftësive verbale dhe funksionimin social në krahasim me grupet e kontrollit. Këta fëmijë janë të aftë të jenë në klasa me bashkëmoshatarët e tyre. Mbështetja është duke u rritur për përdorimin e këtij programi në klasa pasi studimet e kryera prej tashmë 30 vjetësh kanë treguar se kjo metodë është më efektive se programet e tjera të edukimit apo teknikat e edukimit special.

Anëtarësime

Antarësimi në “Albania ABA” është i hapur për çdo person që është i interesuar ose i angazhuar në mënyre aktive në të mësuarin, kërkimin shkencor dhe edukimin e personave me çrregullime të zhvillimit dhe për të gjithë ata që jane të interesuar në shkencën e Analizës së Aplikuar të Sjelljes dhe promovimin e praktikave bazë.

Anëtarësimi u jep mundësinë të informohen për aktivitetet dhe shërbimet, konferencat, trajnimet, literaturat dhe kërkimet shkencore në fushën e metodës së Analizës së Aplikuar të Sjelljes.

 Rev. Familja, shkurt 2015