Forumi Mysliman i Shqipërisë dhe imazhi i myslimanit

55

Nga Roald A.Hysa

Pas ndryshimit të regjimit në vitin 1991 dhe vendosjen e demokracisë në vend, bashkësia myslimane shqiptare u gjend para zhvillimeve të reja brenda vendit. Shtimi i numri të gazetave fillimisht e më pas i radiove dhe kanaleve televizive sollën ndryshime të reja në atmosferën sociale e politike shqiptare. Më 1995 KMSH dhe bashkësia e myslimanëve të Shqipërisë u gjendën përpara një presioni mediatik nëpërmjet debateve kryesisht nëpër gazeta mbi rrezikun fondamentalist nga qarqe të ndryshme të interesuara për synime të tjera.

Ka pasur disa teza mbi të cilat është bërë presion mbi myslimanët në përgjithësi dhe shkurtimisht po i përmendim ato: rikthimi në besimin e të parëve me pretendimin se Evropa nuk i do myslimanët; ekzistenca e fondamentalizmit islamik; anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike.

Gjithashtu një debat tejet i ndezur në po këtë vit ishte nëse duheshin përkthyer në  shqip apo jo  “Vargjet Satanike” të Selman Ruzhdisë, një shkrimtar mediokër me origjinë indiane, që jetonte në Angli, i cili kishte shkruar një libër tepër të kundërshtuar që më 1988-tën mbi jetën e Profetit Muhamed krejtësisht të devijuar nga e vërteta. Zjarrin e këtij debati shoqëror, kulturor e filozofik në rang ndërkombëtar edhe kombëtar e ushqeu një fetva krejtësisht e gabuar e Ajatollah Komeinit më 1989, i cili ofroi fillimisht një shumë prej tre milionë dollarësh e më pas e ngriti në pesë milionë për vrasjen e Selman Ruzhdiut. Kjo ndihmoi me dashje apo pa dashje në nxirjen e figurës së myslimanit dhe shtimin e rritjes së alarmit të fondamentalizmit islamik.

Presioni mediatik vazhdoi shumë i ashpër në vitet 1997-të e në vijim, ku disa gazeta e sulmuan ashpër bashkësinë myslimane shqiptare, dhe kjo kulmoi pas 11 shtatorit 2001-in. Një moment tejet i vështirë mediatikisht ishte edhe ai pas hapjes së debatit ndërkombëtar mbi botimin e karikaturave të Profetit Muhamed nga gazeta daneze “Jylland Posten” më 2006-ën. Muslimanët u etiketuan gjerësisht me epitete fyese gjatë gjithë kësaj periudhe. Për të gjitha këto edhe të tjera që nuk po i përmendim këtu për shkak vendi me iniciativën e një grupi intelektualësh myslimanë nga Tirana, Shkodra e Kavaja u mblodhën dhe formuan Forumin Mysliman të Shqipërisë.

Forumi Mysliman i Shqipërisë synon të rrisë vëmendjen e politikës dhe publikut shqiptar në luftë kundër Islamofobisë dhe racizmit, monitoron incidentet e Islamofobisë dhe racizmit dhe punon për të eleminuar diskriminim fetar dhe racor, dhe të lobojë për çështje me interes për myslimanët e Shqipërisë dhe komunitetet e tjera të vendit.

Një nga veprimtaritë më të rëndësishme të FMSH-së ka qenë realizimi i simpoziumit mbarëkombëtar “Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim” në shkurt të vitit 2008-të në Kavajë. Simpoziumi ka qenë një ngjarje historike për Shqipërinë në përgjithësi pasi në mënyrë simbolike tregoi se si një organizatë si Forumi Mysliman i Shqipërisë, e cila vepron në kuadër të mbrojtjes së të drejtave njerëzore, mbrojtjes së të drejtave morale, fetare, humane dhe civilizuese dha shembullin më të mirë të avancimit dhe të studimit në mënyrë shkencore të rolit të Islamit tek shqiptarët në drejtim të integrimeve euroatlantike. Në këtë simpozium morën pjesë figura të shquara hoxhallarësh dhe studiuesish nga të gjitha trevat shqiptare dhe të fushave të ndryshme studimore, si politika, arsimi, feja etj. Veprimtaria e FMSH-së në kuadrin e objektivave të veta ka qenë e gjithanshme. Kështu FMSH ka synuar ta zgjerojë vazhdimisht veprimtarinë e vet në dobi të përmirësimit të imazhit të myslimanit në shoqëri, duke ofruar dhe vazhdon të ofrojë mbrojtje ligjore në rast diskriminimi. FMSH ka paditur publikisht të gjithë ata që kanë shprehur gjuhën e urrejtjes ndaj Islamit dhe Myslimanëve në Shqipëri, si në rastin e Ben Blushit, Mirela Bogdanit dhe Kastriot Myftarajt.

Në mbrojtje të figurës së femrës myslimane të mbuluar, në mbrojtje të Xhamisë së Madhe të Tiranës nga sulmet islamofobike të së ashtuquajturës “shoqëri civile”. Po ashtu në politikat e FMSH-së, që nga 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë është edhe një fushatë sensibilizuese për figurat e hoxhallarëve që i shërbyen kësaj pavarësie dhe Shtetit Shqiptar. Hoxhallarët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të vyer që nga momenti i ngritjes së flamurit të pavarësisë në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera, si dhe në vitet e mëpasme në vijim, ku dallojnë emrat e H. Vehbi Dibrës, H. Sherif Langut, H. Ali Korçës, H. Ismail Ndroqit, H. Ibrahim Repishtit, H. Ibrahim Dalliut, H. Xhemal Naipit, H. Kadri Prishtina etj., asnjë prej tyre nuk u përmend në të gjitha këto festime.  Asnjë prej këtyre hoxhallarëve patriotë, të cilët nuk e ndanë nga jeta e tyre binomin “Fe e Atdhe”, nuk mori qoftë edhe një medalje të zakonshme si mirënjohje e këtij kombi për të gjithë atë punë të kryer në dobi të Shtetit Shqiptar dhe të Çështjes Kombëtare. E në këtë kuadër, FMSH po vazhdon të sensibilizojë kësaj radhe për figurat e hoxhallarëve të persekutuar, të cilët qysh më herët kishin dhënë kontribute të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.

Forumi Mysliman i Shqipërisë(FMSH) organizoi simpoziumin me temë: “Komuniteti Mysliman pas Luftës së Dytë Botërore dhe persekutimi i hoxhallarëve”. Në këtë aktivitet referuan: nëndrejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Dr. Çelo Hoxha; pedagog i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Dr. Edvin Cami, si dhe Roald A. Hysa, sekretar i FMSH. Kjo fushatë do të vazhdojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Përpjekjet e FMSH i përkasin kryesisht fushës mediatike dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen.

Rev. Familja, janar 2015