Cilat janë cilësitë që duhet të karakterizojnë nxënësin e dijes?

136

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut të Madhëruar, salavatet për profetin Muhamed (alejhis-selam), për  familjen e tij të pastër, për shokët e tij të ndershëm dhe për të gjithë ata që pasojnë udhën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar njerëzit për të mësuar, për të menduar, për të medituar dhe për të vepruar. Gjithashtu na ka bërë të qartë se dituria, e cila i bën dobi njeriut në ditën e gjykimit, është ajo dituri me të cilën njeriu ka qenë i sinqertë në përfitimin e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe të edukohet me edukatën islame duke mishëruar moralet e prijesit të profetëve, të profetit Muhamed (alejhis-selam) ku morali i tij ishte vetë Kurani, libri i Allahut të Madhëruar.

Për këtë arsye një ndër çështjet kryesore të profetit Muhamed (alejhis-selam) ishte edukimi i shokëve të tij, duke u mësuar atyre Kuranin, fenë Islame, ligjet, rregullat, moralin dhe virtytet e saj.

Dituria e cila nuk shoqërohet me edukatë nuk është e dobishme dhe po ashtu edhe dituria e cila nuk shoqërohet me ndërgjegjen e pastër dhe qëllimin e sinqertë do të jetë argument në dëm të njeriut në Ditën e Kijametit.

knowledge-treeDijetarët tanë të nderuar shfaqën një përkushtim të madh në çështjen e edukimit të nxënësit të dijes para se t’u jepnin atyre diturinë. Ata i mbikqyrnin sjelljet e nxënësve duke gjetur mjekimin e duhur për çdo sjellje të gabuar ashtu siç mbikqyr doktori pacientin e tij të sëmurë. Ndaj jo më kot janë shkruar shumë libra nga dijetarët, pikërisht për edukatën që duhet të karakterizohet nxënësi i dijes, për të nxjerrë breza të dobishëm që të mbajnë lartë pishtarin e diturisë, së edukatës dhe të kryerjes së punëve të dobishme. Me të tillë breza është krenuar dhe krenohet feja Islame në të gjithë botën.

Dituria në fenë Islame ka merita, vlera dhe mirësi të shumta, prandaj si në Kura’nin Fisnik ashtu edhe në thëniet e profetit Muhamed (alejhis-selam)  gjen vlera dhe grada të diturisë dhe të dijetarëve. Gjithashtu në to jepen vlerësimet më të mëdha edhe për nxënësin e dijes. Për këto çështje gjen libra dhe kapituj të veçantë. Por feja Islame bën të qartë dhe i pasqyron karakteristikat, atributet dhe cilësitë e nxënësit të dijes.

Disa prej karakteristikave kryesore për nxënësit e dijes, dijetarët muslimanë i kanë përmendur në librat e tyre:

1. Sinqeriteti.

Nxënësi i dijes duhet të karakterizohet me sinqeritet në marrje dhe në dhënje të diturisë. Ai duhet të ketë për qëllim si në marrjen ashtu edhe në dhënien e diturisë shpërblimin prej Allahut të Madhëruar dhe jo përfitimeve të kësaj bote. Marrja e diturisë është pjese e adhurimit të Allahut prandaj adhurimi nuk pranohet tek Allahu nëse qëllimi nuk është i sinqertë për Zotin dhe që të sjellë dobi për shoqërinë njerëzore. Allahu në suren el Bejjineh thotë: “Ata nuk u urdhëruan për tjetër veçse që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.

Ndërsa profeti Muhamed (alejhis-selam) thotë: të parët njerëz që do të gjykohen në ditën e kijametit janë: i pari, një person që ka rënë dëshmor, atë ditë i thuhet: “çfarë ke punuar”? Thotë – “unë kam rënë dëshmor”. “Ke gënjyer” – i thuhet, “ti ke luftuar që të thuhet që ti je trim dhe ashtu kanë thënë për ty”. Pastaj e tërheqin zvarrë prej fytyrës së tij dhe e hedhin në zjarr. I dyti, një person që mori dije të cilit i thuhet: “çfarë ke punuar”? “Kam studiuar dhe kam mësuar të tjerët dhe kam lexuar Kuranin për hatrin Tënd” – thotë. “Ke gënjyer” – i thuhet, “ti ke studiuar që të thuhet se je dijetar dhe se je lexues i kuranit dhe kështu është thënë për ty”. Pastaj e tërheqin zvarrë prej fytyrës së tij dhe e hedhin në zjarr. I treti një person që ka dhënë sadaka, të cilit i thuhet: “çfarë ke punuar”? “Kam dhënë sadaka për hatrin Tënd”? “Ke gënjyer” – i thuhet, “ti ke dhënë sadaka që të thuhet që ti je bujar dhe kështu është thënë për ty”. Pastaj e tërheqin zvarrë prej fytyrës së tij dhe e hedhin në zjarr. Dhe thotë: “nuk do ta shijojë erën e xhenetit asnjëri që merr dituri dhe nuk ka për qëllim në marrjen e saj kënaqësinë e Allahut, por dëshiron përfitimet e kësaj bote” (imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe En-Nesai)

Dijetarët kanë tërhequr vërejtje për nxënësit e dijes që të mos largohen nga rruga e diturisë por nëse gjejnë në vetveten e tyre ndjenja dyftyrësie, atëherë të përpiqen që të përmirësojnë nijetin (qëllimin) në mënyrë të vazhdueshme duke përhapur diturinë e marrë.

Imam Gazaliu në këtë mënyrë i këshillon nxënësit e dijes të cilët duhet t’i kërkojnë llogari vetes së tyre rreth qëllimit për të cilën i shtyn ata të mësojnë rrëth vështirësive që do të përballen, kur thotë:

Gjatë jetës tënde sa netë i ke gjallëruar në nxënien e diturisë prej librave të lexuar?

Nga gjumi i ëmbël ti veten tënde ke privuar.

Netët e gjata, të ftohta i kalove duke lexuar.

Dije se nëse qëllimi yt është fitimi i kësaj bote, apo të bëhesh i famshëm, apo të fitosh poste, i mjeri ti!

Oh çfarë mirësie ti ke humbur!

E nëse për marrjen e diturisë ke për qëllim ligjet e islamit t’i mësosh e t’i japësh mësim, me vepra të mira dhe moral, dijen ta zbukurosh, sëmundjet e zemres, smirën dhe egon ta largosh,

atëherë lum si ti, çfarë shpërblimi do t’fitosh!

2. Cilësia e dytë është veprimi sipas dijes që ke marrë si dhe largimi nga gjynahet.

Allahu në Kuranin e Fisnik thotë: “O ju që keni besuar! pse thoni atë që nuk e bëni? Më e urryera tek Allahu është ajo që ju të thoni atë që nuk e bëni. Në fenë islame ekziston një lidhje e fortë mes diturisë dhe vënies në praktikë të asaj që keni mësuar. Me këto dy cilësi njeriu e pastron veten e tij ashtu siç pastron uji pjesët e trupit. Profeti Muhamed (alejhis-selam) thotë: “kam parë natën e israsë disa burra prej pasuesve të mi që i’u shqyheshin buzët me mjete prej zjarri. O Xhibril kush janë këta njerëz? Këta janë predikuesit prej pasuesve të tu të cilët urdhërojnë njerëzit e tjerë për mirësi dhe harrojnë vetveten e tyre, e ndërkohë ata lexojnë Kuranin”. Prandaj dijetarët këshillojnë duke thënë që mos u bëj si qiriu që ndriçon të tjerët duke djegur vetveten. Madje le ta dijë çdo nxënës se dija ruhet në kujtesën tuaj përderisa ju punoni sipas saj. Ebu Ed-Dardai thotë: “nuk mund të bëhesh dijetar pa qenë nxënës dije dhe nuk bëhesh nxënës dije pa punuar sipas dijes që po merr”.

3. Cilësia e tretë është thjeshtësia dhe modestia.

Duhet që çdo nxënës dije të jetë i thjeshtë, modest dhe larg mendjemadhësisë. Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe të jesh i dashur, kokëulur (i thjeshtë) me besimtarët që të pasojnë ty!” (Shuara 215). Mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi janë dy cilësi të urryera tek Allahu. Allahu ka ndaluar që të ekzistojnë tek besimtarët këto cilësi. Madje edhe në porositë e Lukmanit për djalin e tij thotë: “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” (Lukman 18).

Profeti Muhamed (alejhis-selam) thotë: “nuk do të futet në xhenet asnjë person që ne zemrën e tij ka edhe një grimcë mendjemadhësie”. Dhe thotë: “në të vërtetë Allahu na ka frymëzuar që të jemi të thjeshtë dhe të mos krenohemi dhe as te mos përbuzet ndonjeri tjeter prej nesh”. Nxënësi i dijes duhet t’a ruajë veten nga vetëpëlqimi, krenaria dhe mburrja pasi ai gjithmonë është nxënës dije dhe sa më shumë zhytet në thesaret e diturisë ai ndjen nevojën për t’i marrë këto xhevahire dhe për të përfituar prej saj.

Madje e tillë ishte edhe ardhja e melekut Xhibril tek profeti Muhamed (alejhis-selam). Islami e porosit myslimanin me fjalët se: “Prestigji është devotshmëri, lartësia është në adhurim dhe se krenaria është në nënshtrimin e Allahut.”

4. Cilësia e katërt është respekti ndaj dijetarëve si dhe pjesëmarrja e tij në vendet ku përhapet dituria.

Padyshim që dijetarët në Islam kanë një vend të posaçëm. Ata janë të nderuar dhe do të shpërblehen me punën e tyre edhe pas vdekjes. Ajetet dhe thëniet profetike në këtë temë janë të shumta. Profeti Muhamed (alejhis-selam) thotë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve”. Duke qenë se ata janë njerëz të nderuar, ku Allahu posaçërisht i ka bërë pasues të profetëve, atëherë kjo do të thotë që duhet të ruajmë gjuhët tona nga përgojimi apo nga mos dhënia dijetarit meritat e tij. Imam Ahmedi thotë: “mishi i dijetarëve është i helmuar, ai që i merr erë sëmuret ndërsa ai që e ha atë vdes”. Gjithashtu profeti Muhamed (alejhis-selam) thotë: “Nëse Allahu e do ndonjërin i jep atij dituri fetare”.  Dhe thotë: “nuk është prej pasuesve të mi ai i cili nuk respekton më të moshuarit dhe nuk mëshiron të vegjëlit si dhe nuk i jep dijetarit meritat që i takojnë. Sot një ndër problemet kryesore është që masa e njerëzve arrin të pergojojnë dijetarët. Shumë prej tyre bien preh e veprimeve të shëmtuara si përgojimi, shpifja apo trillimi ndaj dijetarëve. E shumë të tjerë të cilët nuk kanë nivelet e duhura për të vënë në peshore dijetarët e mëdhënj të umetit. Kjo situatë vjen si rezultat i mosthellimit në dije, shtimit të injorancës dhe si pasojë e informacionit të tepërt dhe çoroditës ku shumica e njerëzve nuk janë në gjendje të dallojnë përfitimin dhe shpërblimin nga ndëshkimi dhe dëmi. Në përfundim e lus Allahun të na ruajë dhe të na bëjë pasues të tyre me dituri e sjellje, me moral e me vepra të mira dhe të na bashkojë së bashku me ta në xhenetet e amshueshme pranë profetit Muhamed (alejhis-selam).

Mars-prill, 2014