Cili është vendimi i Islamit në lidhje me ryshfetin?

128

Pyetje: Jam një vajzë që kam përfunduar studimet dhe jam punësuar në një punë shtetërore. Pozicioni i punës shpesh herë të detyron në marrëdhënie me njerëzit të marresh ryshfet. Edhe nëse nuk i do për vete, duhet t’i marrësh për shefin apo për dikë tjetër. Ju lutem më shpjegoni këtë dukuri, i cili po përhapet gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare. Cili është vendimi i Islamit në lidhje me të?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të gjithësisë, paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kjo është një ndër dukuritë që përhapet në një shoqëri e cila është larguar nga ndjekja e moraleve të larta, nga virtytet njerëzore dhe që pason epshet materiale të cilat janë cytje prej shejtanit. Ky i fundit ua zbukuron veprat e liga njerëzve të dobët dhe të dhënë pas materiales. Allahu (xh.sh): “Shejtani ju frikëson ju me varfëri dhe ju urdhëron për punë të liga” (A’raf, 201).

briberyNjë prej punëve të liga që i nxit shejtani njerëzit është marrja e ryshfetit. Marrja e ryshfetit krijon problem të mëdha në shoqëri. Ajo dëmton funksionalitetin e rregullit dhe të ndershmërisë njerëzore. Ryshfeti prish ekuilibrat e drejtësisë në një shoqëri, përhap korrupsionin, i jep të drejtë atij personi që jep ryshfet dhe e zhvesh nga pasuria të ndershmin. Marrja e ryshfetit është formë e ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të palejuar. Ky nocion nënkupton dhënien e ryshfetit për ndonjë autoritar ose ndonjë funksionari të përgjithshëm për të gjykuar në favor të dhënësit e në dëm të kundërshtarit, të kryejë ndonjë punë ose të vonojë diçka që i përket kundërshtarit.

Islami ndalon muslimanin që të përdorë ryshfetin dhe po ashtu i ndalon udhëheqësit dhe bashkëpunëtoret e tyre që të marrin ryshfet. Islami gjithashtu ua ndaloi të tjerëve që të ndërmjetësojnë midis dhënësve dhe marrësve të ryshfetit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë (të palejuar), e as mos u paraqitni me të (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se po e hani padrejtësisht atë)” (Bekare, 188).

Profeti (a.s.) thotë: “Mallkimi i Zotit është mbi ryshfetdhënësin dhe mbi ryshfetmarrësin në pushtet” ndërsa në një transmetim tjetër tregohet se Profeti (a.s.) e “ka mallkuar  ryshfetdhënësin, ryshfetmarrësin dhe ndërmjetësuesin”.

Kjo vepër bëhet akoma më e shëmtuar dhe më e rrezikshme duke marrë formën e krimit kur ryshfeti jepet për dëmtimin e dikujt. Çdo njeri në fenë islame është i obliguar të mbajë drejtësi. Drejtësia apo rregulli nuk mund të vendosen duke u shitur apo duke e blerë me para. Kur profeti Muhamed (a.s.) dërgoi Abdullah ibn Revahen te hebrenjtë që ta caktojnë tatimin mbi prodhimin që jepnin hurmat të cilat ata i kishin në përdorim, ata i ofruan ryshfet, mirëpo ai e refuzoi atë dhe u tha: “Kjo që po më ofroni është ryshfet dhe është haram, marrja e saj është e shëmtuar dhe ne nuk e hamë haramin dhe as nuk e pranojmë atë”.

Nuk është për t’u habitur ngë qëndrimi kategorik ndaj ryshfetit dhe pjesëmarrësve në të, ngase përhapja e saj në shoqëri përhap korrupsionin dhe tiraninë; gjykohet në mënyrë të padrejtë dhe pengohet gjykimi i drejtë, vonohet ajo që duhet të shpejtohet dhe shpejtohet ajo që duhet të vonohet. Ryshfeti bën që në shoqëri të dominojë shpirti i interesit e jo ai i obligimit.

Dhurata për zyrtarët

Islami ndalon të gjitha format dhe të gjithë emrat e mundshëm të ryshfetit. Trajtimi i ryshfetit si “dhuratë” nuk e shndërron prej sferës së haramit në atë atë të hallallit.

Në një hadith thuhet: “Kur e angazhojmë ndonjërin në ndonjë punë, kujdesemi edhe për furnizimin e tij dhe çdo gjë që pranon përveç kësaj, konsiderohet fitim i jashtëligjshëm.”

Gjatë periudhës që Umer ibn Abdulazizi ishte udhëheqës (halife) i është dhuruar një dhuratë dhe ai e ka refuzuar. Kur i është thënë se Profeti (a.s.) e ka pranuar dhuratën, ai ka reaguar: “Për të ka qenë dhuratë ndërsa për ne kjo është ryshfet!”

Profeti (a.s.) dërgoi një njeri për ta mbledhur zekatin e fisit Ezd dhe kur u kthye te Profeti, mori diçka prej zekatit të mbledhur dhe tha: “Kjo është për ju, e kjo tjetra është dhuratë imja”. Në atë rast, Profeti (a.s.) u hidhërua dhe tha: “Nëse ke të drejtë, a do të të arrinin këto dhurata sikur të qëndrojë në shtëpinë e babait tënd dhe të nënës tënde?”

Pastaj tha: “Ç’është me mua? E caktoj njërin prej jush e më thotë: Kjo është e juaja e kjo është dhuratë e imja? Sikur të ishte në shtëpinë e babait të vet, a do të merrte dhuratë? Betohem në Atë i Cili shpirtin tim e ka ne dorën e Vet, askush prej jush nuk mund të marrë diçka të padrejtë e të dalë para Zotit në Ditën e Kijametit me këtë gjë. Le të mos dalë askush prej jush Ditën e Kijametit duke mbajtur deve që ulëret, lopë që pëllet ose dele që blegëron”. Pastaj ngriti duart dhe u lut: “O Zot, a e transmetova mesazhin?”

Imam Gazaliu thotë: “Në bazë të këtyre qortimeve, gjykatësi, guvernatori ose ndonjë tjetër që është autoritar, duhet të imagjinojë se është në shtëpinë e babait dhe të nënës së vet. Në qoftë se mendon se do të pranojë dhuratë edhe pas braktisjes së punës, atëherë mund ta pranojë dhuratën e ofruar. Në qoftë se mendon se nuk mund ta pranojë në shtëpinë e prindërve te vet, por i dhurohet vetëm për shkak të postit, atëherë nuk duhet ta pranojë. Nëse e ka të vështirë të vendosë, si p.sh. për dhuratat e shokëve të vet, të cilët mund t’i dhurojnë dhuratë edhe kur nuk është në post, atëherë bie në një pozitë të dyshimtë dhe preferohet që të mos e pranojë dhuratën e tyre.”

Ryshfeti për largimin e padrejtësisë

Nëse një personi i është humbur e drejta dhe s’ka mënyrë tjetër për ta fituar atë përveç se me ryshfet ose është dëmtuar dhe s’mund të kompensojë dëmin përveç se nëpërmjet dhënies së ryshfetit, preferohet që të durojë derisa Zoti t’ia ofrojë mënyrën më të përshtatshme për mënjanimin e dëmit dhe rifitimin e të drejtës që atij i takon. Në qoftë se detyrohet të përdorë ryshfetin, atëherë mëkati i takon ryshfetmarrësit e jo atij që e jep, sepse ky është rezultat i dështimit të të gjitha formave të tjera dhe shpëton nga dëmi ose përfiton të drejtën e humbur pa i sulmuar të drejtat e të tjerëve.

Disa dijetarë argumentojnë me hadithet e transmetuara rreth atyre që këmbëngulnin të merrnin sadaka prej Profetit (a.s.) edhe pse nuk u takonte por ai ua jepte. Umeri (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ndonjëri prej jush del prej meje me sadaka nën sqetull, e cila është zjarr për marrësin.” Atëherë Omeri (r.a.) i tha: “O i dërguari i Allahut! Përse i jep atij kur ju e dini se është zjarr për të?” Ai iu përgjigj: “Çfarë të bëj, kur ata ngulin këmbë vetëm që të lypin prej meje, e Zoti i Madhëruar nuk ma lejon koprracinë”.

Insistimi që lypësit bënin tek Profeti (a.s.) e obligonte atë që t’i jepte lypësit, edhe pse e dinte se ajo dhënie ishte zjarr për lypësin. Ndaj në këtë mënyrë mund të veprohet në rastin e presionit nga nevoja, për shpëtimin nga dëmi ose për rikthimin e të drejtës së humbur.

E lusim Allahun të na ruajë nga kjo padrejtësi. Nëse keni mundësi që të këshilloni eprorët tuaj që të largohen nga kjo vepër e shëmtuar, atëherë do të shpërbleheni tek Allahu me shpërblime të mëdha e nëse s’keni mundësi, atëherë ua bëni të ditur atyre se ju nuk do të merrni ryshfet as për vete dhe as për ta. Allahu e di më së miri.

Janar-Shkurt 2014