Cilat janë shkaqet që çojnë drejt dhunës në familje?

561

Falënderimi i takon Krijuesit të gjithësisë, Atë e madhërojmë dhe prej Tij falje e ndihmë kërkojmë!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin (a.s.), mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Nuk ka dyshim se familja është bazë dhe shtyllë e shoqërisë. Madhështia e familjes përbën madhështinë e shoqërisë dhe sa më e shëndoshë të jetë familja, aq më e shëndoshë do të jeteë shoqëria.

Të gjithë ata të rinj dhe të reja që presin të martohen dhe të krijojnë familje duhet të zgjedhin bashkëshorte të denjë për misionin që i pret. Martesa është një argument prej argumenteve të Allahut të Madhëruar dhe një begati nga begatitë e Tij të mëdha. Allahu në Kuranin Fisnik thotë: “Dhe nga faktet e madhërisë së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën, gratë, kështu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë.” (Er-rum, 21)

Martesa është një lidhje e ndershme dhe e begatshme të cilën Allahu i Madhëruar e bëri për të mirën dhe dobinë e njeriut. Qëllimet kryesore të martesës janë dy: pasardhësit dhe mbrojtja nga e ndaluara. Secila palë duhet të njohë përgjegjësitë dhe detyrat që ka përpara Zotit të Madhëruar në mënyrë që bashkëshortët të krijojnë një familje me baza të shëndosha.

Vallë çfarë e largon dashurinë nga jeta bashkëshortore dhe cilat janë shkaqet që të çojnë drejt dhunës në familje?

Kur disa njerëz u intervistuan dhe u pyetën mbi shkaqet që çojnë në humbjen e dashurisë mes bashkëshortëve, ishin këto mendime:

alcoholism

  • Mendoj se është komunikimi dhe trajtimi i ashpër dhe i dhunshëm nga njëra palë.
  • Injoranca dhe konceptet e gabuara rreth jetës bashkëshortore.
  • Distancimi i njerëzve nga mësimet dhe udhëzimet e fesë.
  • Egoizmi, ku secila palë nuk lëshon pe.
  • Keqkuptimet mes dy palëve mbi rolin, misionin dhe detyrat e secilit nga bashkëshortët.
  • Fakti i dhunës në familje ka ardhur në kohët moderne me hapa të mëdha. S’ka dyshim se presioni psikologjik dhe i çekuilibruar që lind në jetën tonë të përditshme, renditet si pika kyçe e problemeve dhe dhunës në familje.
  • Dhuna është një fenomen i përfituar nga individë të caktuar të cilët janë pjesë e edukimit të brezave. Individët të cilët janë viktima të shoqërisë në moshën e tyre të vegjëlisë, kur ato rriten e vënë në zbatim dhunën në familje. Pra, rritja në një ambient të dhunshëm reflekton dhunë në shoqëri.
  • Gjithashtu vlerat e moralit dhe shtresat shoqërore luajnë një rol të madh dhe të rëndësishëm në shfajësimin e dhunës. Në disa raste pozita shoqërore dhe ligjet e saj përcaktojnë që të përdoret dhuna si detyrë dhe urdhër si në rastet e institucioneve policore, ku figura e policit shikohet si i dhunshëm dhe jo si figurë mbrojtëse për qytetarin etj.
  • Faktori ekonomik, si varfëria, papunësia, pirja e alkoolit dhe droga janë dyer të cilat përcjellin dhunë në familje.
  • Mospërputhja e mendimeve të bashkëshortëve, si në mos kuptimin e mirë të fesë dhe normave të moralit, por gjithashtu edhe në anën e nivelit edukativ, arsimor dhe shoqëror, saqë krijohet një ambient ku nuk ka vend për komunikim dhe bashkëbisedim brenda familjes.
  • Kuptimi jo i drejtë i fesë dhe i traditave të cilat i japin burrit postin e udhëheqjes së famijes me dhunë e forcë.

Kush i vuan pasojat?

960509-O-0000I-005

Gruaja mbi të cilën është përdorur dhunë. Ajo humbet ndjenjën e sigurisë, të personalitetit dhe fisnikërisë së saj. Dhuna nuk përkufizohet vetëm nëpërmjet dhunës fizike, por ajo përfshin edhe dhunën psikike, fenomen i cili mund ta çojë njeriun drejt vetvrasjes. Gjithashtu këto pasoja i vuajnë edhe fëmijët të cilët për shkak të ambientit të dhunshëm ku janë rritur përçojnë dhunë në shoqëri.

Familja është baza e një shoqërie dhe është burim force e shtyse në shoqëri. S’ka dyshim se dhuna në familje është kërcënim për shoqërinë.

Për të garantuar një jetë bashkëshortore të lumtur duhet:

1-      Mëshira, toleranca, zemërgjerësia dhe falja

Profeti (a.s.) thotë: “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij dhe unë jam mw i miri nga ju me familjen time.”

Gruaja e Profetit (a.s.),  Aishja (r.a.), tregon: “I dërguari i Zotit kurrë nuk ka qëlluar ndonjë grua. Një burrë që rreh të shoqen para se të uli dinjitetin e gruas së tij, ai burrë ka ulur dinjitetin dhe karakterin e tij.” Edhe në rast pakënaqësish dhe mungesë dashurie, Allahu në Kuran na porosit që të sillemi mirë me gratë. Ai (xh.sh.) thotë: “Jetoni e silluni mirë me to. N.q.se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë (duroni), sepse është e mundur që juve të mos ju pelqejë diçka, por që Allahu në atë do tju  sjellë shumë të mira.” (En-nisa, 19)

2-      Të dëgjojnë hallet dhe shqetësimet e njëri – tjetrit.

3-      Ekzistenca e një qëllimi dhe objektivi të përbashkët në familje për të fituar kënaqësinë e Zotit.

4-      Mbyllja e derës së fitneve, si shembulli i cili na jepet në natën e Israsë e Miraxhit. Mu paraqiten disa njerëz të cilëve u ofrohej për të ngrënë mish i gatuar mirë. Por ato e injoronin atë dhe shkonin të hanin mish të qelbur. Kush janë këto o Xhibril? Ai më tha: “Këta janë ata burra që injorojnë gratë e tyre hallall dhe rendin pas grave haram.”

5-      Adhurojeni Zotin së bashku, që t’ju shtohet dashuria mes njëri-tjetrit. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush çohet natën dhe zgjon gruan e tij dhe falen të dy, do të shkruhen nga ata që e përkujtojnë Zotin shumë.”

E lusim Zotin që pas këtyre rreshtave t’i mbushë shtëpitë tona me dashuri, respekt dhe harmoni, ashtu siç ishte e mbushur shtëpia e Profetit (a.s.)  dhe e muslimanëve të parë!

Elona Muça, teologe

Revista “Familja”, janar
2017