Dënimi, si një mënyrë edukimi mund të lë pasoja në shëndetin mendor dhe emocional te fëmijët

17

Nga: Argjentina Hoxhaj – Psikologe

Çdo prind dëshiron që fëmija të rritet i edukuar dhe të ndjehet mirë në shoqëri dhe kudo. Është e domosdoshme që prindërit të krijojnë një ambient të shëndoshë në familjen e tyre; të shmangim acarimet dhe ngritjet e zërit midis prindërve sepse kjo ndikon te fëmija.

Vitet e fundit është shtuar fjala „dënim“ apo „ndëshkim“ nga prindërit kundrejt fëmijëve. Por a duhet prindërit të jenë më të kujdesshëm ndaj këtij veprimi? Nga përvoja ime si psikologe dhe ushtruese e detyrës në qendrat edukative për fëmijë, them që po. Fëmijët janë, natyrisht, të etur për të bashkëpunuar. Nëse ata ndëshkohen, kjo krijon zhgënjim dhe pafuqi. Nëse ka një ndëshkim të rregullt, për të kuptuar se në fund fiton kush është më i fortë dhe ka më shumë fuqi, në këtë rast prindi, atëherë fëmija modelon sjelljet e prindërit. Kjo bën që shumica e fëmijëve të dëshirojnë të jenë më të fuqishëm sa më shpesh të jetë e mundur. Nuk është e pazakontë që ata të ngacmojnë fëmijët më të vegjël ose më të dobët në qendrën ditore për të kompensuar pafuqinë e tyre.

Në shumë studime të fundit që janë bërë është konstatuar se ndëshkimi i prindërve ndaj fëmijëve mund të lë pasoja në shëndetin mendor dhe emocional. Me ndëshkim nuk ndryshohet modeli i sjelljes së fëmijës, por ndryshohet sjellja e tij. Me dënim prindi nuk ofron informacion apo sqarim të qartë te fëmija, por vetëm veprim. Fëmija shumë herë mbetet i paqartë për gabimin që ka bërë sepse ai mund të dënohet me kokën ulur poshtë tavolinës ose të qëndrojë për disa minuta larg rrethit familjar në një dhomë tjetër. Kjo patjetër që shkakton më shumë zemërim se sa keqardhje për gabimin që është bërë. Është shumë e vështirë që përmes dënimit fëmija të mendojë për situatën dhe të kuptojë se çfarë nuk shkon me sjelljen e tij. Metoda më e përshtatshme për prindërit ndaj fëmijëve do ishte komunikimi. Një qasje pozitive ndaj fëmijës do të ndryshonte modelin e sjelljes në mënyrë spontane dhe nuk do të bazohet në frikë apo kërcënime.

Pasojat që mund të shkaktojë ndëshkimi te fëmijët

  • Ndëshkimi nuk e eliminon sjelljen e padëshirueshme.
  • Fëmija i ndëshkuar nuk e ndryshon sjelljen e tij, por përpiqet t’i shpëtojë dënimit duke mësuar sjellje të reja, p.sh. përmes gënjeshtrës, faljes, etj.
  • Ndëshkimi mund të uli ndjenjën e besimit të fëmijës karshi prindërve sepse shpeshherë prindi nuk i realizon dëshirat e tij, por në momentin që fëmija bën një gabim ai e shpreh këtë në formë të ndëshkimit ndaj fëmijës.
  • Ndëshkimi i shpeshtë mund të çojë në sjellje armiqësore dhe agresive.
  • Fëmija nuk e kupton keqbërjen e tij kur ndëshkohet dhe për këtë arsye nuk e ndryshon sjelljen e tij.

Ndëshkimi i shpeshtë ul vetëvlerësimin e fëmijës dhe mund të çojë në mungesë motivimi dhe pasiviteti.

Revista “Familja”, Shkurt 2022