…edhe evropianë, edhe pa euro!

54

Kur fillojmë të shkruajmë rreth një realiteti problematik, rreth asaj gjëje që na ka ngecur në fyt, rreth atij realiteti që ti do ta shkoqitësh një për një çdo rreng të tij, vetes i thua: “A do të të mjaftonin faqet, lapsat e ngjyrat, faqet dhe fjalorët etj. me radhë”.

Brumosur si njerëz gjithmonë heroikë e të rrallëgabueshëm, edhe pse në moshën e internetit, asaj teknologjie që po zhduk madje dhe lapsin, ne shqiptarët nuk kemi zdukur nga palcat tona ca armë injorance; pushkë revolver apo kallashnikov, që edhe pse të fshehur rrëzave ku duket se s’ka polic që t’i gjejë politikanët tanë, i nxjerrin me hirin e vjetërsisë së tyre, në dritën e diellit, aty ku ata vrasin me qartë.

Kështu, pas përpjekjesh të gjata e sfidash gjysmë të fituara, jemi ne evropianët rishtarë, jemi ne të gëzuarit e aq shumë, por sërish, si për inat, dallojmë nga evropianët që kur bëhemi gati të fluturojmë drejt tyre. Na duhet trasta me vete, se nuk i dihet… evriopianët nuk e hapin lehtësisht derën për barktharët. Dhe vazhdojmë sërish me mbiemrin e përbashkët “evropianë”, mendjemadhësohemi si dikur nga emri i madh i një babai apo kryetar fisi a lider “gjaku”, edhe pse mundet të ketë qenë fare i vogël. Si evropianë, përveç udhëtimeve shëtitjeve, shkollimit, informimit, stileve të jetesës, ne shqiptarët përgatitemi të votojmë.

Madje shumë muaj më parë përgatitemi të bëhemi më të mirë, më harrues të së keqes e mbulues të shoshës dhe jo të…, të batakut. Janë disa ngërçe, kapërcimi i të cilëve të kushtëzon për të qënë ai i miri, të cilit do t’i dërgojnë të gjithë nga një “short message” më 8 maj. Duke qenë ngërçe të pafund, unë po zgjedh njërin. Po përse kur ka shumë të tillë? Unë e pashë si të tillë, të kobshëm mes të tjerash!

Shumë pak para fushatës, të gjithë ne dëgjuam për grevën e urisë së paraplegjikëve, ardhur kjo pas ankesave për ujë e drita për fatura, për çmime buke e patateje. Kemi parë dhe jemi mësuar me grevat organizuar e realizuar nga shumë e shumë pjesëtarë të tjerë të kësaj shoqërie thjeshtësisht të viktimizuar. Por një heshtje vrasëse kundrejt atyre, që, sikur të mos iu mjaftojë sprova e ardhur nga Zoti i qiejve, presin t’ju zhagarravitet emri e fytyra e tyre nga të “mangëtit e tokës”. Atyre, të cilëve më së shumti iu duhet t’u japësh një dorë a një krah, një këmbë apo një sy, pushteti ynë, as ai lokal e as ai qendror, as nuk i pa e as nuk gjeti mes axhendës së shthurur  një minutë kohë vërdallë vendmbylljes së tyre sikur qoftë edhe për t’iu thënë atyre jo të sëmurëve   të paktën përmes mikrofonëve, se jemi me ju dhe së bashku do të bëjmë diçka lehtësuese për të gjithë ne.

Unë nuk kam frikë të them se kam të drejtë të revoltohem kur shikoj kandidatë që zgjedhin sheshe për të kalëruar e nuk zgjedhin veç shesheve, ato shtëpitë ku mezi hyn dritë që nga azilet, spitalet, shtëpitë apo strehët e të varfërve, shoqatat e të verbërve, paraplegjikëve etj. A mos ndoshta nuk i duan votat e tyre?! Por unë do thoja: Jo, ata janë më shumë se sa 10 mijë vetëm të verbër, por kjo do të thotë se ka në dorë të paktën 3 deputetë? Po të sëmurët në spitale, po të tjerë?!

Sa europianë që jemi! Pikëçuditjes do t’i vijë keq ndoshta që ka kokën poshtë, më shumë se sa ne shqiptarëve, ku më së shumti gjërat i marrim mbrapsht, ku më së shumti duam të vëmë në dukje  ato që tashmë duken qartë, gjë të cilat na bëjnë jo vetëm të jonjerëzishëm, por jokreativë e idevdekur, anadollakë që kërkojnë çallmat kur nuk kemi as benevrekë.

Për të kaluar më pas tek amnistitë që na akordohen shumë vonë nga koha kur mbetëm me xhepa bosh e shumë afër asaj dite ku të gjithë vetëkremtohen si heronj e ngadhënjyes fushatash rekordthyese të prapësive.

Kalojmë sërish shumë prapësi, shumë sfida që të marrin frymën. Ja një edicion lajmesh, ka sërish amnisti fiskale, por ka sërish faje dhe nga ato faje mbetur jetimë dyerve të larta  administratave të ulëta, ka zinginë e fakirë, e më tej është boshi, është fara e kosit që duhet marrë borxh për të zënë dhallën në tru, e për ta kthyer në shëllirën e varfërisë ku ngjyejmë gishtat e gjoja ngopemi. A nuk është ky stërmundim parë vetëm në trillera e horrorë?!

Sërish jemi të vjetëruar e jo të vjetër. Nuk e di pse dua të kapem këtu, por konotacioni që më sjell ndër mend “i vjetëruar” më duket bindës për shumicën prej pushtetarëve, sikurse ajo rroba “very used” dhe që e hedh në kosh e as nuk mund t’ia falësh askujt; ndërsa “i vjetër” jo, pasi  “i vjetër” është dhe gjyshi im, por që diti t’i arsimojë 6 bijtë e tij e veten. Jo, e s’ka faj të ndihet në faj, pasi ka të shumtë politikanë që flasin për mirarsimim e mirinformim të tyre dhe të zgjedhësve të tyre, por ngelet një ide vetëm në tentavivë për t’u materializuar. Nuk arritën të arsimojnë as gjashtë e as 60, as 6 me shumë zero të tjera, siç do kishte pak hije për mbajtjen e fjalës, prej së cilës na njihte dikur bota. Nuk ditën të rehabilitojnë ata që vërtet duheshin rehabilituar, nuk ditën e as nuk patën atë diapazonin e qartë për të parë më larg se sa grykët e tyre, pak më larg se sa ai kontur i zi syzesh mashtruese që i mbajnë si të “zënë peng” idetë e optikat, këndvështrimet, projektet që do i shkonin për shtat një prijesi të një ushtrie të bindur deri në marrëzi.

Si rrjedhojë politikanët tanë janë lehtësisht të vjetëruar edhe në fjalorët dhe oratoritë e tyre, madje këtu po kështu janë edhe ca pseudogazetarë e pseudokanale televizive. Është e çuditshme kur thonë: “Rama në luftë me Bashën!” apo “Tani ngelet lufta për Tiranën”, dhe jo fare mirë siç mund ta perceptonte i madh e i vogël, kandidatët janë në garë, në përballje? A thua nuk kemi guximin për përballje, përse u anulluan përballje të tilla krerësh të mëdhenj, a mos vallë nuk pati guxim apo qytetari, e cila fare mirë mund ta kuptojë se vetëm njëri mund të ishte fituesi, ndërsa tjetri jo humbësi, por më pak i votuari.

E thënë shkurt: Rroba e shumëveshur duhet të ndërrohet. Me një bluzë të re do krenoheshim me veten dhe para të tjerëve.

Sërish mund të befasohemi edhe me të rizgjedhurit. Të mjaftuar se populli që i zgjodhi mjafton të ketë bukë e kos, se për garniturën do presim fundmandatet e tyre. Ata thjesht na thonë: “Mos na falni, nuk dimë të gënjejmë ndryshe!”. Miqtë tanë të huaj kanë mësuar më mirë se në shqip, sepse nuk po na hiqen. Kudo i kemi këtu si garantë, që në bisedime, zgjedhje apo zgjidhje, tavolina të rrumbullakëta apo trekëndore, ku dy këndet janë të pabindurit. Ndërsa i treti kënd, i cili iu numëron edhe kafshatat që hanë në atë darkë pajtimi, ku si për çudi, si ato darkat e pajtimit të gjaqeve, ku të paktën le të shtrëngoheshin duart edhe pse me shumë neveri, edhe pse fytyrat le të jenë majtas e djathtas. Nuk qe e thënë…

“Sërish ishim të këqinjtë e vetes, të këqinjtë e botës” – një rol i përmbysur i një urtësie që gjyshja ime i thoshte shpesh tim eti.

MAJ-QERSHOR 2013