Efektet sociale të përdorimit të lojërave në internet tek adoleshentët

59

Nga Blerina Memaj

Në ditët e sotme, një pjesë të konsiderueshme të marrëdhënieve tona e zënë marrëdhëniet e krijuara nëpërmjet rrjeteve sociale informative. Ky fenomen është mjaft i përhapur në të gjitha moshat, por më shumë adoleshentët janë ata që e “humbasin kontrollin”.

Jemi në kohën e elektronikës, jemi në kohën e internetit, në kohën e informacionit pa fund. Përdorimi pa kriter i internetit, veçanërisht nga adoleshentët, shndërrohet në mbartës të problemeve sociale, që nuk dëmtojnë vetëm individin, por në tërësi çekuilibrojnë funksionimin real të shoqërisë.

Sot interneti është bota e gjerë e informacionit. Interneti është lajmi i fundit ku ne të gjithë bëhemi pjesë e tij. Adoleshentët që përdorin internetin, shpesh e bëjnë këtë për të lehtësuar mërzitjen dhe si një lloj shpëtimi nga problemet. Shumë adoleshentë që kanë probleme në ndërveprimin me bashkëmoshatarët, i drejtohen kompjuterit dhe internetit si një burim argëtimi dhe kontakti social. Kur kjo përshkallëzohet në “varësi”, shpesh për shumë gjëndje mjekësore që quhet “Çrregullimi i varësisë nga interneti” (APA, 2007). Funksioni kryesor që interneti ryen është ai i komunikimit, pra i vendosjes së raporteve mes përdoruesit dhe burimit, por interneti gjithashtu është edhe një burim kryesor ku adoleshentët mund të luajnë lojëra të ndryshme. Loja është konsideruar një makinë e lindur njerëzore që fillon në fëmijërinë e hershme.

Lojërat janë një aktivitet i pëlqyeshëm për të kaluar kohën dhe hulumtimet tregojnë se përdorimi i tepruar i lojërave në internet mund të çojë në simptoma të varësisë. Adoleshentët mund të përdorin lojërat online si një mënyrë për të përballuar stresorët dhe i shikojnë ato si strategjinë e duhur për të shpëtuar nga problemet në jetën reale.

Mosha e adoleshencës karakterizohet nga ndryshime të shumta, jo vetëm në aspektin fizik, emocional, por edhe në kontekstin shkollor dhe marrëdhëniet familjare. Adoleshentët përjetojnë një boshllëk të brendshëm, ndjenja pazotësie si dhe ndjesinë se janë jo të kompletuar. Njëkohësisht adoleshenti ndihet i dobët nga ana psikologjike për t’u përballuar me presionin e përditshëm. Këto ndryshime ndikojnë në raportet e adoleshentëve me prindërit e tyre dhe shpesh, shoqërohen me rënie të arritjeve akademike (Karaj, 2004). Adoleshenca në kuptimin e vërtet të fjalës është një tranzicion prej varësisë te pavarësia dhe përfundon, kur individi arrin statusin e të rriturit. Duke iu referuar adoleshenca si periudhë tranzicioni, bota virtuale përbën një kërcënim apo pengesë për zhvillim.

Çfarë është varësia e lojërave nga interneti?

Varësia e lojërave nga interneti në përgjithësi i referohet një sasie të tepruar të orëve që një individ kalon në internet duke luajtur. Në vend që të angazhohen në botën e vërtetë, një përdorues i varur i kushton shumicën e kohës së tij lojërave. Lojtarët e varur shpesh izolojnë veten nga të tjerët, injorojnë përgjegjësitë më të rëndësishme dhe shpesh janë të fiksuar në marrjen e statusit të lartë, renditjen dhe arritjet në lojën e tij të preferuar në internet.

Disa shenja të dukshme të kësaj varësie:

1) Preokupimi për lojërat në internet

2) Simptoma të tërheqjes kur largohet nga lojërat

3) Nevoja për të shpenzuar gjithnjë e më shumë kohë duke u angazhuar në lojëra

4) Përpjekje të pasuksesshme për të kontrolluar pjesëmarrjen në lojëra

5) Humbje të interesave dhe përgjegjësive në jetën e përditshme si rezultat i përjashtimit nga lojërat në internet

6) Kanë vazhduar përdorimin e tepruar të lojërave në interneti pavarësisht nga problemet psiko-sociale

7) Mashtrimi i anëtarëve të familjes, terapistëve, apo të tjerëve në lidhje me shumën e orëve që kalojnë duke luajtur lojëra në internet

8) Përdorimi i lojërave në internet për të shpëtuar nga problemet në jetën e përditshme ose për të lehtësuar ndjenjat negative

9) Humbja e një marrëdhënie të rëndësishme pune, mundësie arsimore apo të karrierës për shkak të pjesëmarrjes në lojërat në internet.

Top-Video-Games-for-2014-2015

Disa kategori individësh janë më të rrezikuar:

  • Fëmijët dhe adoleshentët kryesisht meshkuj
  • Njerëzit me vështirësi të tjera psikologjike (p.sh. depresioni, vetëbesim i ulët, ankthi)
  • Individët që për periudha të gjata kohore kanë patur ndonjë fatkeqësi apo që nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete të tjera jashtë shkollës
  • Ata me nivele më të larta të neuroticizmit
  • Fëmijët të cilët janë më shumë impulsivë dhe kanë aftësi të dobëta sociale.

 

Efektet sociale të përdorimit të lojërave në internet

Të flasësh për përdoruesit e varur nga teknologjia, përveç të mirave nga shfrytëzimi i teknologjisë, nëse kalon në një masë të pakontrolluar mund të bartë edhe shumë pasoja negative, duke filluar nga aspekti social, psikologjik, fizik dhe shumë të tjerë. Përdorimi i lojërave në internet tek adoleshentët ka efekte sociale negative, që mund të kenë implikime të mëdha, në vështirësimin e jetës së individit.

Të tilla janë:

– Vetmia sociale e individit dhe shmangien nga shoqëria

– Dobësim të motivit social

-Largimin i individit nga aktivitetet e lira

-Ndikim në aspektet e komunikimit social

-Ndikim në motivin për mësim, ku sot shihet rezultati tek të rinjtë që kanë një interesim nën mesatar për lexim dhe mësim

-Një përdorim i tepërt i lojërave në interneti krijon stres, që llogaritet si faktori kyç i izolimit të individit

-Tendencat për shmangien nga lidhjet farefisnore dhe me të afërmit, që mund të sjellë ngecjet për zhvillim të individit kategori individësh janë më të rrezikuar se të tjerët.

Disa nga pasojat:

Pasoja sociale – Kur ai/ ajo shpenzon gjithnjë e më shumë kohë në lojëra dhe tenton të shpenzojë më pak kohë në ndërveprimet me personat e tjerët. Si i tillë, ai/ajo mund të përjetojë mungesë të kontakteve njerëzore ballë për ballë, ndjenjën e izolimit dhe vetmisë, si dhe humbja e miqve apo të marrëdhënieve në jetën reale.

Pasoja akademike apo të karrierës – Fëmijët dhe adoleshentët të cilët janë të varur nga lojërat në internet shumë shpesh përjetojnë rënie në notat dhe ulje të performancës akademike. Të rriturit që janë të varur në lojërat në internet mund të përjetojnë një përkeqësim në kryerjen e punëve, përkushtimin e vendit të punës dhe aspiratat e karrierës.

Pasojat financiare – Të rriturit dhe adoleshentët mund të shpenzojnë shuma të mëdha parash për luajtjen e lojërave të reja në internet. Në raste ekstreme, puna mund të humbasë për shkak të performancës së dobët në punë, duke luajtur ndërsa janë në punë dhe për shkak të mungesave të shpeshta në punë.

Pasoja familjare – Varësia e lojërave në internet shpesh sjell përkeqësim të marrëdhënieve familjare. Tensionet dhe konfliktet ndërmjet anëtarëve të familjes rriten nëse ata do të ndalohen nga pjestarët e familjes për luajtjen e lojrave në internet. Lojtarët e varur fillimisht mund të mohojnë se ekziston një problem dhe përpiqen për ta fshehur atë kështu ata akuzojnë tjetrin si një person që është duke u përpjekur për të patur “kontroll” në jetën e tij / saj. Prindërit e fëmijëve të varur nuk e pranojnë që fëmijët e tyre të luajnë dhe mendojnë se problemi mund të zvogëlohet nëpërmjet konflikteve.

Pasoja shëndetësore – Varësia e lojërave mund të shkaktojë lënien pas dore të higjienës personale, shtimin e zakoneve të varfëra të gjumit, heqjen dorë nga aktivitetet e shëndetshme fizike dhe marrjen e vendimeve të shpejta dhe jo të menduara mirë për shkak të mos ndërprerjes së lojës që janë duke luajtur dhe pse vendimet mund të jenë të gabuara.

Pasoja emocionale dhe psikologjike – Ata që janë të varur nga përdorimi i lojërave në internet mund të përjetojnë depresion, çrregullime të humorit, vetë-respekt të ulët, ankth social, tolerancë të ulët frustrimi, zemërim, ndjenja të fajit dhe turpit për të mos qenë në gjendje për të kontrolluar zakonet e tyre të lojërave.

Si  përfundim disa rekomandime për prindërit: 

  1. Adoleshentët kanë nevojë të fuqishme për më tepër vëmendje, mbështetje dhe vlerësim pozitiv nga rrethi social dhe familjar në të cilin jetojnë. Në këtë mënyrë ata nuk do t’i drejtohen botës virtuale për t’i plotësuar këto nevoja.
  2. Të balancojnë kohën e kaluar në internet duke luajtur me aktivitetet në botën sociale reale.
  3. Prindërit që kanë një fëmijë adoleshentë duhet të kujdesen më tepër rreth orëve që kalojnë fëmijët e tyre në internet. N.q.se ata vënë re se fëmija e tyre i kalon limitet e qëndrimit në internet (sipas studimeve 6-12 orë) ata duhet të flasin me fëmijën e tyre rreth veprimtarisë që ata kryejnë.