Ikonat (i)reale të shoqërisë sonë!

175

Driton Arifi

Misioni i nisur kaherë që brezave të rinj t’ju ofrohen modele sa më motivuese për prosperim e ngritje të balancuar si në aspektin etiko-moral, po ashtu edhe në atë kulturoro-arsimor, duket që të jetë jo pak i vështirë. Vazhdon të mbetet sfidë, që s’po arrijmë t’ia dalim dot, gjetja e flakadanëve orientues në një shoqëri që mëton të zhytet në vorbullën e jetës së hapur e ultra liberale, pasi që ishte tejet e mbyllur (konservative). Nuk po arrijmë, as për së afërmi që ta shuajmë etjen e natyrshme e njerëzve, e në veçanti të moshës rinore, që të shohin para syve të tyre njerëz – ikona që do t’i merrnin si model shembëllyes dhe se të tillët do t’i pasonin në çdo hap të jetës.

Kushdo që dëshiron të harxhojë kohë për të kërkuar një jetëpërshkrim të shkurtër të ndonjë shkencëtari të thellë, ideologu të urtë, mjeku me emër, inxhinieri mendjeprehtë, tregtari të ndershëm, ose thjesht të një njeriu me karakter e moral të lartë qoftë edhe i paarsimuar, do t’i duhet të ketë durim mjaft të madh për të gjetur ndonjë rrjesht rreth tyre, diku në cepat e ndonjë gazete të shkruar, online, ose ato vizuale, edhe atë do të vërehet se me kujdes të veçantë, emrat e tyre janë qoshuar diku, që të mos bien  në sy me lehtësi. Po aq më pak do të gjejmë ndonjë fjalë rreth dikujt, që ka treguar ndonjë gjest etiko-moral e të karakterit të lartë, pavarësisht se a është apo nuk është i arsimuar. Është mjaft kurioze të kujtojmë këtu se princi Albert i Britanisë së Madhe, ishte i ngarkuar nga mbretëresha e këtij vendi që të ndajë çmimin për studentin më të mirë të vitit dhe ajo “çuditërisht” kishte vendosur kriter që ky çmim nuk do t’i takonte atij që ka përparuar më shumë në përvetësimin e shkencave përkatëse, por atij që ka karakterin më të mirë e më të lartë. Sgurisht se një kriter i tillë do t’i motivonte edhe të tjerët që të kenë kujdes në mirësjellje e etikë, sepse rruga drejt çmimeve të larta kalon nëpër to e jo thjesht përmes avancimit shkencor.

Paradoksalisht, hapësirën kryesore të  mediave sot, rëndom po e zëjnë të gjitha ato shtresa që i përkasin profilit të artit, muzikës, sportit, modelimit, e të ngjashme.

Ne, duam apo s’duam, duhet të ballafaqohemi me një mori lajmesh që të zhytin në detajet e jetës tekanjoze e të shthurur të atyre, që me tendencë na paraqiten si “yje” dhe  “ikona të gjalla” që duhet ndjekur në çdo hap jetësor. Detaje që në fakt tregojnë për shkallën e katandisjes së jetës së tyre qoftë shoqërore apo individuale. Duket se hapësira mediatike është pushtuar tej mase nga ata njerëz që sot përfaqësojnë profilin e njeriut të lirë, modern, pa komplekse e të “çliruar” nga çdo virtyt etik ose fetar. Thjesht, nevoja e njerëzve për modele shembëllyese, sot po “mbushet” me ofrimin e atyre ikonave eminente, që mësimin dhe suksesin më të madh do ta arrinim sikur të mos bëheshim kurrë si ata.  Porosia është e qartë: rruga drejt famës dhe lluksit jetësor duhet të kalojë  domosdoshmërisht gjurmëve të tyre. Ato “ikona” që janë ngulitur në kokën e simpatizuesve të tyre, jo rrallë herë e përmbyllin jetën e tyre të “lumtur” me vetvrasje, ose në “rastin më të mirë” gjenden të vdekur nga mbidoza e narkotikëve që  tërë jetën e kanë kaluar në varësi totale ndaj tyre. E dosido, lajmet e tilla ua sjellin ndërmend një përfundim të tillë fatkeq edhe ndjekësve të atyre “ikonave- idhujve”, nga të rinjët tanë, edhe nëse asnjëherë nuk u ka shkuar ndërmend më parë që ta bëjnë një gjë të tillë.  Zhgënjimi nga jeta i ndjekësve të atyre fatalistëve është pasoja më e vogël, që mund t’i godasë pas fatkeqësisë që e ka goditur “idhullin” e tyre. Një përfundim i tillë do t’i bënte me dije ndjekësve se rruga e ndjekur nga “idhulli ‘ i tyre jo rrallë herë të shpie në përfundim fatal. Për ta faktuar këtë s’kemi nevojë të përmendim emra (druajmë degradimin e  natyrës së shkrimit), sepse të tillë kemi mjaft, edhe atë shumë të freskët madje, si në arenën mbarëshqiptare, e gjithsesi edhe në atë ndërkombëtare.

Nuk e di nëse rrëfen historia në ndonjë epokë të saj, që ndonjë popull ka ecur përpara në aspekt civilizues e kulturor, duke i marrë si modele në jetë ata persona që ia kanë vënë mision vetvetes kënaqësitë shfrenuese e pasionante pa asnjë limit. E as nuk është dëgjuar ndonjëherë se ndonjë euridit, shkencëtar a inovator të ketë thënë se të gjitha arritjet dhe sukseset e veta i ka realizuar falë ndjekjes konsekuente që i ka bërë ndonjë ikone të artit, muzikës, ose sportit. Nuk besohet se në këtë rang listë do të bëhemi të parët ne si popull, edhe ashtu i nevojshëm që të përmendet emri ynë diku tek ata që bënë diçka për të mirën e njerëzimit.

Në epokën e mediave dhe influencës së fuqishme që ato kanë në orientimin e masave të gjera, kanë filluar të lëkunden dukshëm kriteret se kush duhet të konsiderohet i ngritur dhe kush ikonë që meriton t’ju ofrohet njerëzve si model jete. Në aspektin hyjnor islam kriteri qëndron i palëkundur, sepse të ngritur janë vetëm ata të diturit që besojnë (pra që kanë edhe karakter  e moral të lartë), siç është vënë theksi në këtë citat kuranor:”…  Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni“. (El-Muxhadele, 11).

Me ofrimin e ikonave të famshme sot dhe paraqitjen në formë vezëlluese, po vihen në dilemë  gjithnjë e më shumë para njerëzve sot se kush duhet të pasohet në jetë, e kush duhet të merret mostër?! Me to, po iu bëhet një konkurrencë joreale ikonave të vërteta e të cilët do të duhej që të ekspozoheshin, e ne të njiheshim më shumë me detajet e jetës së tyre. Megjithatë, dilemat nuk i bartin të gjithë njerëzit, ato mbesin të fuqishme vetëm në kokat e atyre që timonin e jetës nuk e mbajtën asnjëherë në duart e tyre.

Revista “Familja”, shkurt 2017