KOMISIONI BAMIRËS “BEREQETI”, ULQIN

58

Në kuadrin e Këshillit të Bashkësisë Islame Ulqin, prej disa vitesh funksionon komisioni humanitar “Bereqeti”, i cili merret me të ndihmuarit e familjeve më në nevojë, si edhe fëmijëve bonjakë (jetimë). Kjo shoqatë vepron në komunën e Ulqinit, si edhe në trevën e Krajës. Ky Komision aktivitetet e veta i zhvillon çdo dy deri në tre muaj, ndërsa me rastin e festave fetare fëmijëve bonjakë iu ndahen edhe dhurata të veçanta, krahas ndihmës së rregullt.

Burimet e mjeteve të Komisionit janë vetëm nga bamirësit vendas,të cilët janë jashtëzakonisht të rregullt me kontributet e tyre. Komisioni ka Këshillin e vet, i cili tubohet nga koha në kohë, për të diskutuar rastet e reja të nevojtarëve, të cilat ky Komision mundohet t’i përcjellë me kujdes. Kryetar i këtij komisioni është Mirsad ef. Muçaj, imami i xhamisë së Bregut, në Ulqin. Më datën 27.02.2012 u zhvillua aktiviteti i saj i rregullt, me ç’rast u shpërndanë 67 pako me artikuj ushqimorë dhe mjete të higjenës me vlerë 23 euro për një pako, ndërsa 41 jetimave iu shpërndanë nga 20 euro. Rasti më i ri që ky Komision e përcolli ishte ndihma në familjen Kraja, në rrethin e Ulqinit, në të cilën para më pak se një muaji papritmas, në moshën 39 vjeçare, vdiq babai i tre fëmijëve.

Me rastin e këtij aktiviteti, në disa familje, sipas vlerësimit të Komisionit “Bereqeti”, u shpërndanë nga disa numra të revistës “Familja”, gjë që ishte shkak për një falënderim të veçantë nga familjet në nevojë. Me këtë rast ne i falënderojmë të gjithë bamirësat e “Bereqetit” dhe i bëjmë ftesë edhe të tjerëve që t’i bashkëngjiten kësaj veprimtarie dobiprurëse! Njëkohësisht, e falënderojmë edhe redaksinë e revistës “Familja”, e cila përkrahu këtë aktivitet me mundësinë e saj.