Lidhja e femijeve me shtyllat e imanit

59

Besimi tek Allahu i Madhëruar

Lidhja e fëmijëve me shtyllat e imanit është një proces që fillon që me lindjen e fëmijës dhe vazhdon përgjatë gjithë jetës. Kjo është diçka që nuk kërkon një program të përcaktuar apo kurs. Kjo lidhje realizohet përditë gjatë marrëdhënieve të afërta prind–fëmijë. Besimi tek Allahu është principi më themelor i fesë. Ai është shtylla kryesore nga shtyllat e imanit. Në qendër të besimit tek Allahu është teuhidi, apo besimi se Allahu është i Vetëm dhe i Pashoq. Besimi tek Ai është i lindur tek fëmijët. Këtë e tregojnë argumentat për fitren, hadithi i të Dërguarit (s.a.): “Çdo fëmijë lind në fitre (musliman)”.

Lidhja e fëmijëve me Allahun e Madhëruar

Siç e përmendëm edhe më lart, lidhja e fëmijës me besimin tek Allahu është një proces që fillon qysh me lindjen e tij. Kur ai apo ajo vjen në jetë, fjalët e para që duhet të dëgjojë janë “Allahu Ekber”,thirrjen e ezanit në veshin e djathtë. Gjatë rritjes, fëmija duhet ta dëgjojë emrin e Allahut nëpërmjet leximit të Kuranit nga ana e prindërve, lutjeve dhe dhikrit. Fëmija duhet të mësohet ta dojë Allahun dhe t’i frikësohet zemërimit të Tij. Elementi dashuri duhet të jetë më i fortë se sa ai i frikës. Tek fëmijët duhet të zgjohet dëshira për t’iu bindur Atij. Gjatë procesit të lidhjes së fëmijëve të vegjël me Allahun, është e domosdoshme t’u tregojmë atyre mrekullitë që ka krijuar Allahu në natyrë, bukurinë dhe mirësitë që Ai na ka dhuruar, si dhe shenjat e mençurisë dhe përsosmërisë së Tij. Fëmijët lidhen natyrshëm me natyrën dhe janë kuriozë për ta studiuar atë. Kështu ne kemi mundësi për t’u treguar atyre se gjithçka që shohin në natyrë e ka krijuar Allahu dhe në këtë mënyrë të shpalosim para tyre emrat dhe cilësitë e Tij. Shëtitjet në natyrë apo eskursionet mund të jenë një rast i mirë për këtë. Fëmijëve duhet t’iu përkujtohet se gjithçka të mirë që kemi ne e kemi prej Allahut të Madhëruar, duke filluar që nga shëndeti i mirë, sytë, veshët, mendja etj. Ata mund të pyeten: Kush t’i dhuroi sytë, veshët, mendjen, zemrën, duart etj. Kush ta dha fuqinë për të vrapuar dhe luajtur? Këto të gjitha nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e Allahut Fuqiplotë. Herë pas here fëmijët duhet të nxiten ta falënderojnë Allahun për mirësitë e panumërta me të cilat na ka bekuar. P.sh. kur atyre u vjen diçka e mirë apo dëgjojnë diçka që i gëzon, ata duhet të ndjekin shembullin e Profetit (s.a.v.s) dhe të bien në sexhde në shenjë falënderimi. Këta gurë themeltarë fillestarë do të shërbejnë si bazë mbështetëse për dashurinë ndaj Allahut. Fëmijëve mund t’iu kërkohet të imagjinojnë se si do të ishte jeta pa të gjithë këto mirësi që kanë, me qëllim që ata t’i vlerësojnë begatitë e Krijuesit, Dhuruesit të Madhërishëm. Ose atyre mund t’u jepet si shembull ndonjë njeri me të meta fizike apo të varfërit, me qëllim që ta kuptojnë se sa me fat janë që ata nuk i kanë këto vështirësi në jetë. Duke u rritur, përfshirja e vargjeve të ndryshme nga Kur’ani mund të shërbejë si përkujtim i mirë për të kuptuar më mirë mirësitë që na rrethojnë.

Emrat dhe cilësitë e allahut

Kur flisni me fëmijët nën moshën 7 vjeçare, vini në dukje cilësitë e Allahut, në mënyrë që t’i japin atij mbrojtjen dhe sigurinë ndërsa ai rritet dhe përballet me situata të frikshme dhe të panjohura. Ai ka nevojë të jetë i ndërgjegjshëm për begatitë e shumta që Allahu i ka dhënë për ta ndihmuar të shijojë dhe përballojë jetën. Ai ka nevojë të kuptojë më shumë se cilat vepra e kënaqin Allahun, sesa të shqetësohet për ndëshkimet e gabimeve që ai e di se do të bëjë. Mësimi përmendësh dhe të kuptuarit e emrave dhe cilësive të Allahut do ta përshpejtojë dhe forcojë më tej lidhjen me Të. Emrat dhe cilësitë e Allahut pasqyrojnë mëshirën dhe dashurinë për krijesat e Tij dhe i pajisin njerëzit me një mënyrë për ta njohur Atë dhe për të kuptuar madhështinë e Tij. Kjo është diçka e cila i kënaqë mjaft fëmijët dhe mund të fillohet që në fëmijërinë e hershme. Emrat dhe cilësitë e Allahut duhet të lidhen me shembuj konkretë, histori dhe vargje nga Kurani. Dashuria për Allahun, respekti dhe mirënjohja për dhuntitë e Tij, duke e ditur se Ai i do robërit e Tij, do t’ia shtojë dëshirën fëmijës për t’ju bindur Atij dhe për të përmbushur urdhërat e Tij. Ata do ta kuptojnë se Allahu urdhëron vetëm atë që është e mirë për robërit e Tij. Kjo ndienjë do t’ua forcojë mjaft fëmijëve imanin dhe frikën prej Tij. Kjo më pas do të çojë në konceptin e të mësuarit e bindjes ndaj Allahut.

Mësojuani fëmijëve rëndësinë e bindjes ndaj Allahut

Për fëmijët është e domosdoshme të mësuarit e bindjes ndaj Tij. Një musliman, i cili beson dhe i nënshtrohet Allahut, e kupton se nënshtrimi sjell bindjen dhe dorëzimin para autoritetit dhe kontrollit të Allahut. Kjo është rruga e Islamit dhe rruga e vërtetë drejt lumturisë. Fëmijët duhet ta kuptojnë se ata duhet t’i binden Allahut për shkak të dashurisë, frikës dhe shpresës tek Ai. Bindja ndaj Allahut është e lidhur me bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut duke ndjekur sunetin e tij. Kjo ndonjëherë mund të jetë në kundërshtim me dëshirat e fëmijëve, por ata megjithatë duhet të binden. Njerëzit bëhen të burgosur të dëshirave të tyre, vetëm nëse ia japin besën Allahut. Vetëm nëpërmjet bindjes ndaj Allahut ata mund t’i thyejnë vargojtë e dëshirave dhe ta ngrenë shpirtin e tyre lart. Ky është një mësim shumë i vyer për fëmijët, që ata mund ta mësojnë që në moshë të njomë, i cili do t’i mbrojë ata nga pasionet, joshjet dhe pëshpëritjet e shejtanit të mallkuar. Ky mësim do t’u vlejë veçanërisht në moshën e adoleshencës. Në thelb ata do të heqin dorë nga disa kënaqësi të kësaj bote, me qëllim që të arrijnë lumturinë në ahiret. Në terma psikologjikë kjo njihet si “plotësim i vonuar”. Pra, njeriu i shmang apo i shtyn kënaqësitë e përkohshme, të momentit për një shpërblim afatgjatë në të ardhmen. Kjo është pikërisht ajo çka i ka premtuar Allahu besimtarëve, të cilët i nënshtrohen dhe i binden Atij. Bindja ndaj Allahut nuk vjen pa pasur një dëshirë për t’ju bindur Atij. Siç e përmendëm edhe më lart, kjo fillon duke çelur në zemrat e fëmijëve dashurinë për Allahun dhe duke e ujitur këtë dashuri gjatë rritjes së tyre. Është e qartë se, prindërit të cilët janë të bindur dhe të devotshëm ndaj Allahut do ta kenë më të lehtë për të rrënjosur këto virtyte tek fëmijët. Prindërit që falen në kohë, i përmbushin detyrimet karshi Alahut dhe i shmangen ndalesave të Tij për shkak të dashurisë që kanë për Të, do të shërbejnë si shembulli më i mirë për fëmijët e tyre. Fëmijëve duhet t’u bëhen të qarta si shpërblimi që i pret punëmirët ashtu edhe ndëshkimi që i pret të pabindurit.

Mësojuni fëmijëve mbështetjen tek Allahu

Mbështje do të thotë varësi e plotë dhe besim i patundur tek Allahu në të gjitha çështjet, veçanërisht në kohë vështirësie. Fëmija duhet të edukohet me ndjenjën se Allahu e mbikëqyr, e sheh dhe e dëgjon në çdo moment, Atij nuk mund t’i fshihet asgjë dhe Ai di për gjithçka që kemi ne në mendje. Kjo është një metodë e edukimit për të cilën është pyetur i Dërguari (a.s.) edukatori i parë, kur është pyetur se çfarë është Ihsani: “Ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, e nëse ti nuk e sheh vërtet Ai të sheh,”. Ibn Abbasi tregon: “Isha një ditë prapa të Dërguarit të Allahut e ai më tha: “O djalosh unë do të t’i mësoj disa fjalë: Kije ndër mend Allahun, Ai të ruan ty. Kije ndër mend Allahun, Atë e ke para vetes. Kur të kërkosh diçka kërkoje nga Allahu, kur të kërkosh ndihmë kërkoje nga Allahu! Dije se sikur të mblidheshin të gjithë njerëzit për të të bërë mirë, nuk do të bëjnë më tepër sesa ka shkruar Allahu. Dhe sikur të të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë keq, nuk do të të bëjnë më shumë se sa ka shkruar Allahu. Tashmë penat janë ngritur dhe regjistrat janë thërë” (Transmeton Tirmidhiu). Ky hadith i mahnitshëm u mëson fëmijëve dhe të rriturve se ata duhet t’i kthehen Allahut për të gjitha nevojat e tyre. Ai i drejton muslimanët t’i binden Allahut, të jenë optimistë përballë realitetve dhe sfidave të jetës. Vështirësitë gjithnjë pasohen nga lehtësime, veçanërisht kur ato shoqërohen me lutje.

Marrë nga libri “Rrënjosja e imanit tek fëmijët” Dr. Aisha Hamdan, psikologe kliniciste