Metoda islame në ngritjen e shpirtit njerëzor

209

Ulvi Fejzullahu

Kategoria intelektuale, në të kaluarën dhe tani, harxhuan mund të madh për të gjetur formulën e riparimit të vetvetes (njeriut). Provuan metodat filozofike të filozofëve antikë, mesjetarë dhe modernë, duke e preferuar metodën mistike (sufiste), por përsësi rezultati dështoi, sepse i gjithë angazhimi i tyre ishte mbështetur në prova eksperimentale dhe kjo ndikoi në vështirësinë e riparimit dhe ngritjes shpirtërore.
Dhe së fundi, mbeti metoda islame me frymëzim nga Allahu i Lartësuar, metodologji e vetme. Nëse përputhet dhe pranohet prej besimtarit, atëherë duken rezultatet dhe frutet e mira.
Ja disa mënyra për riparimin e shpirtit njerëzor:
– Kurani dhe Tradita Profetike janë zbuluesit më të mirë të lumturisë.
Kur besimtari sigurinë, qetësinë, rahatinë e kërkon në Kuran dhe Traditën Profetike, atëherë ka shijuar ëmbëlsinë e lumturisë. Vetëm Allahu i Lartësuar na ka ofruar formulën e saktë të fatbardhësisë, ku besimtari shijon lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Disa prej njerëzve menduan se lumturia në këtë botë mund të shijohet duke u kënaqur me llojet e ushqimeve, pijeve, veshmbathjeve, pozitës, pasurisë, martesës, autoritetit etj. Kush mendon në gjendjen e këtyre, sheh se këta janë në nivel të ulët të njohjes së qëllimit të krijimit dhe njëkohësisht nuk e kanë shijuar ëmbëlsinë e besimit.
“Ndërsa ata që janë të lumtur do të jenë në Xhenet përgjithmonë sa të jenë qiejt dhe Toka, vetëm si të dëshirojë Zoti yt, dhuratë pa përfundim.” (Hud, 108)
– Ruajtja e mendjes dhe zemrës nga pëshpëritjet e shejtanit
Mendja dhe zemra çdo herë sulmohen me shigjetat e dyshimit, pëshpëritjes së shejtanit, me qëllim që ta çorientojë në jetë dhe aktivitet, duke e motivuar dhe lëvizur drejt së keqes.
“A nuk e di ti se Ne i kemi dërguar shejtanët kundër mosbesimtarëve, e ata nxisin pa ndërprerë të bëjnë poshtërsi.” (Merjem, 83)
Për këtë, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar dhe porositur që të kërkojmë strehim prej Tij nga dyshimet e shejtanit.
“Kur të lexosh Kuranin kërko mbrojtjen (mbështetjen) e Allahut prej shejtanit të mallkuar.” (Nahl, 98)
“Dhe thuaj: O Zoti im! Të mbështetem Ty (të më ruash) nga pëshpëritjet e shejtanit! Të mbështetem Ty, o Zoti im, që ata të mos më afrohen!” (Muminun, 97-98)
Kur besimtari i përmbahet këshillave të Allahut të Lartësuar, atëherë shejtani nuk mund të ketë fuqi dhe të ndikojë në jetën e besimtarit.
“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.” (Nahl, 99)

– Baza e pastrimit shpirtëror është që ajo të bëhet mbi Teuhidin (njëshmërinë) në Allahun e Lartësuar.
Islami çdo adhurim e kërkon që të jetë i pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Ky është boshti ku besimtari duhet ta dorëzojë zemrën, ndjenjën dhe veprën. Po ashtu, duhet ditur se Islami kërkon që të jemi ripërtëritës së imanit. Besimi, ashtu siç ngrihet dhe shtohet tek besimtari, po ashtu edhe mund të bjerë në nivelin më të ulët. Besimtari le të ndalet e le të mendojë për suren Fatiha, ku çdo herë e përsërit udhëzimin, duke thënë:
“Na udhëzo (na drejto) në rrugën e drejtë.” (Fatiha, 6)
Lutjet e drejtuar tek Allahu i Lartësuar ndikojnë që zemra të pastrohet dhe të orientohet në rrugën e drejtë.

Nga Tradita Profetike veçojmë duatë (lutjet):
“Allahu im që ndryshon (lëviz) zemrat, drejtoi zemrat tona në nënshtrimin Tënd!” (Transmeton Muslimi)
“Allahu im, më jep dritë në zemrën time!” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Duke kërkuar falje nga Allahu i Lartësuar dhe duke e dëshiruar nështrimin e Tij jemi duke ecur rrugës së pastrimit shpirtëror.
Sot individi, grupet, shoqëritë e ndryshme vuajnë për udhëzim dhe qasje të drejtë, sepse nuk kanë sistem të përkryer që mbron shpirtëroren dhe e përmirëson atë. Sisteme, që përparësi ka vetëm materien dhe ajo konsiderohet çdo gjë. Sot këto kanë pushtuar me dhunë qenien njeri dhe e kanë bërë të varfër në aspektin shpirtëror. Njeriu në përgjithësi dhe besimtari në veçanti ka nevojë të domosdoshme për orientim të drejtë dhe që plotëson dhe ushqen nevojat e tij shpirtërore. Kjo mund të shijohet vetë në dritën e udhëzimit islam. Përpiquni që këto udhëzime t’i jetësoni, besimtarë të nderuar!
Allahu im! Ushqeji zemrat e besimtarëve me udhëzim të drejtë në Kuran dhe Traditën Profetike, që ta gëzojnë lumturinë në dy botërat. Allahu im! Na mundëso orientimin e drejtë dhe na ruaj nga çdo e keqe pëshpëritëse!

Revista Familja, mars 2017