Ndjenja përballë arsyes

12

Në këtë botë asgjë nuk ndodh nga pakujdesia. Gjithmonë ka një arsye të logjikshme. Ndonjëherë të pakuptueshme për të tjerët, ndaj dhe shpjegimi mbetet i pavlerë. Përshtatshmëria e qenieve njerëzore është tejet e çuditshme, gjithmonë në varësi të llojit. Njeriu në jetë duhet detyrimisht të mbajë mburojë për t’u mbrojtur nga ndjenja.

-E pse vallë?!

-Nuk kuptojnë, që në këtë mënyrë do të shndërroheshin në mumie, trup pa shpirt e mendje pa tru?!

Arsyen, mendoj se më së shumti e përdorin të “lodhurit”, pasi në rrugëtimin e jetës zhgënjimet lundrojnë me njerëzit dhe na ngushtojnë aq shumë shpirtin, saqë duhet një mrekulli për ta nxjerrë një rreze ndjenje. Ndjenja është rrezatim, e në momentin që e zotëron, ajo rrezaton kudo dhe gjithkush kthen kokën pas, sikur po nuhat një aromë parfumi të veçantë. Me ndjenjë, dashuria zgjat më shumë. Me ndjenjë, sytë shkëlqejnë. Me ndjenjë, ti i tregon botës se ka akoma qenie njerëzore të gjalla.

E ajo, arsyeja, mike e paftuar, jep ide, mend, ngre mure të larta e të pakalueshme, izolon gjithkënd dhe në fund triumfon, duke plakur të vetmen aventurë që ndjenja zbuloi.

Në këtë dyluftim të gjatë njerëzor, në përpjekje të shumta gjykimi, njeriu thjesht, vdes.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Matilda Myftari