Pas perfektes fshihet depresioni

645

Nga Anxhela Peza, psikologe

E keni vënë re atë vajzën që është shumë e buzëqeshur, shkon në punë, ka karrierë, ka një familje, shumë njerëz do të donin të kishin jetën e saj. Ajo duket sikur nuk ka asnjë problem dhe shqetësim, sepse një si ajo aq e arrirë di mirë si ti zgjidhë gjërat që në fillesat e saj. Vajza këshillon të gjithë për jetën e bukur madje dhe me buzëqeshjn e saj trasmeton energji pozitive tek të tjerët. Por njerëzit harrojnë se sa më e kuqe të jetë molla aq më i madh është krimbi brenda.

Fjala depresion përdoret rëndom nga të gjithë për të përshkruar gjendjen e dikujt, qoftë ky në rrethin familjar apo jashtë tij. E etiketojnë të tillë pasi vënë re ndryshimin e tij në sjellje nga krahasimi sjellor i mëparshëm. Situata stresuese nga motive të ndryshme kalojnë të gjithë njerëzit gjatë jetës së tyre dhe natyrisht që kanë qënë pjesë e episodeve depresive apo vetë depresionit. Mendimet intensive frustruese na çojnë drejt tij. Por që një individ ta quash të tillë, nuk është aq e kollajtë pasi më parë u duhet parë një sërë sjelljesh zinxhir që vijnë njëra pas tjetrës. E dhimbshme vjen kur ne ndihemi të pafuqishëm për të ndihmuar personin tonë të afërm dhe nuk e vëmë re nëse ai po përjeton gjendje depresive. Depresioni vjen si pasojë e një ndarje në çift, humbja e punës, vështirësia ekonomike, humbja e një familjari, marrëdhënia e keqe me dikë, dhuna fizike dhe psikologjike, mos realizimi i një plani apo projekti etj. Tek gratë shkak është ndryshimi hormonal si pasojë e pubertetit, cikli mujor i menstruacioneve, menopauza apo shtatzania. Ndërsa tek burrat shpesh depresioni kalon pa u diagnostikuar për faktin se ata e maskojnë sëmundjen e tyre me pije alkolike, pëdorim droge, dhune etj. Ata janë më të prirur të jetojnë në efektin e një depresioni të fshehur apo ndryshe të maskuar.  Gjatë mendimeve vetvrasëse burrat janë katër herë me të presdipozuar të vrasin veten sesa femrat.

 Si mund ta vëmë re ne këtë ?

Në kohën e sotme mirë është të kultivojmë dëgjimin. Të dëgjojmë sa më shumë dhe të flasim më pak. Është e udhës të dëgjojmë se ajo çka flitet nuk dihet, ndërsa atë çka dimë e themi kurdoherë. Cilësia e dëgjimit kupton më mirë mendimet, botën e tjetrit pa e kushtëzuar pa e ndërprerë, duke motivuar shprehinë tek tjetri qoftë ky fëmija yt, bashkëshorti apo një mikeshë.  Depresioni i fshehur apo dhe ai demostrativ prek çdo aspekt social të jetës dhe këtu është e dukshme pika kyçe për të vënë re ndryshimet në zakonet e të afërmit. Simptomat janë: mërzi e zgjatur, mungesë dëshire, urrejtje, tension, luhatje humori, gjendje ankthi, humbje energjie ku ndihet si i këputur i lodhur, mungesë aktiviteti, humbje në peshë ose shtimin e saj. Gjithashtu janë evidente dhe mungesa e përqëndrimit, vështirësia në marrjen e vendimive, ndjenjat i të qenit i pavlerë, i padobishëm, mungesë shpresash dhe izolim. Insomnia (pagjumësia) është njëra nga ndryshmet e dukshme ku njeriu ose fle me orë të tej zgjatura ose nuk ka gjumë fare. Në depresion të agravuar kemi gjithashtu dhe mendimet e vetvrasjes ose të vdekjes. Këto janë elementët kryesor ku kuptohet situata në të cilën përjetohen gjendja e brendshme e njeriut.

Komunikimi dhe stimulimi i tij për t’u shprehur është mjaft i mirë ku shkarkohet i gjithë ankthi dhe stresi i akumuluar. Kërkimi i ndihmës specifike të specialistit përkatës. Shikimi i jetës me pozitivitet, duke dalë shkallë – shkallë nga gropa e pesimizmit. Qëndrimi pranë i personit më të afërt, mbështetja dhe mirëkuptimi pa bërë shumë moral.

Për të gjithë lexuesit e revistës “Familja” mund të them se ne jemi psikologu i vetvetes, por ashtu si problemet kanë zgjidhje tek specialist përkatës, mjeku, dentist, avokati, mësuesi, marangozi, hidrauliku, ashtu lind nevoja e vajtjes tek psikologu.

Maj 2017