Qyteti i Bajram Currit mirëpriti Karvanin e Femrës Myslimane

70

Një nga aktivitetet më të mëdha të femrës myslimane në Ballkan, “Karvani i Femrës Myslimane”, pas një udhëtimi mbresëlënës në prill të 2013 në qytetin e Shkodrës, ndaloi më datë 17 maj 2014 në Bajram Curri, në qytetin e bujarisë dhe të mikëpritjes fisnike tropojane.

Dhjetëra dhe qindra intelektuale, gra dhe vajza nga qyteti i Tiranës, rrethi i Tropojës, i Hasit dhe rrethinave përreth u bënë pjesë e këtij karvani, i mbajtur në ambientet e Hotel “EuroBushi” në qendër të qytetit.

Ky eveniment kaq i rëndësishëm kulturor u realizua si fryt i bashkëpunimit me Myftininë e Tropojës dhe aktiviste të qytetit të Bajram Currit e të Krumës, ku përmendim znj. Blerina Hasanaj, znj. Enkeleda Hoxha dhe znj. Shpresa Kapica (Ukperaj).

Me një prezantim dinjitoz nga znj. Diana Syla, arritën të përcillen bukur dhe me emocion tek të gjithë të pranishmit mesazhet e qarta, përmes temës së këtij karvani: “Rinia mes sfidave të së ardhmes”.

DSC_0034Aktiviteti u çel me pjesë nga Kurani Famëlartë, të interpretuar nga dy fëmijë nga rrethi i Hasit, e më tej pjesëmarrëset u njohën me një material të shkurtër filmik të rrugëtimit të Karvanit të Femrës Myslimane ndër vite.

Më pas aktiviteti u përshëndet nga znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Ajo falënderoi përzemërsisht të gjitha pjesëmarrëset në sallë. Ndër të tjera ajo theksoi se, – “kombi ynë që dikur njihej për traditën, për besën dhe fisnikërinë, moralin e edukatën dhe që nuk guxonte t’i cënonte askush, tashmë këto rregulla, parime e sjellje kanë filluar të veniten. Shoqëria shqiptare e veçanërisht rinia e saj po shkon drejt humbjes së vlerave morale”. Mesazhi i saj ishte bashkimi dhe rikthimi i vlerave të dikurshme të familjes shqiptare dhe i rinisë së saj.

U vijua më tej me fjalën përshëndetëse të znj. Enkeleda Hoxha, një grua e nderuar e qytetit të Bajram Currit, aktiviste dhe përçuese e mësimeve të bukura islame ndër brezat e rinj të këtij qyteti.

Takimi vijoi me ligjëratën me temë “Rinia mes sfidave të së ardhmes”, mbajtur nga znj. Shpresa Kapica, e cila vinte enkas nga zona e Hasit dhe tema “Porosi profetike drejtuar rinisë” nga znj. Armida Plumbi, përgjegjëse e komunikimit dhe masmedias pranë Shoqatës Kulturore “Gruaja”.

Argëtimi i radhës ishte konkursi për njohuritë rreth Islamit, rubrikë mjaft interaktive, ku u shpërndanë shpërblime për fitueset, si dhe loja “Mundja e dorës”, ku fituesja u vlerësua me Kupën e Karvanit.

DSC_0882Ilahitë e interpretuara nga zëri brilant i Marsida Shehit dhe korit të vajzave të Hasit ishin ndër momentet më të bukura dhe më të këndshme.

Drama “Amaneti”, e sjellë në skenë nga vajzat e grupit artistik të Hasit, nën kujdesjen e aktivistes së këtij qyteti znj. Shpresa Kapica, përcolli emocione të forta, ndjenja të gjalla dhe përlotje. Transmetohej rëndësia e amanetit si virtyt i të dërguarve të Zotit dhe njerëzve të mirë. Amaneti është vetë besimi, ai është vetë feja dhe detyrat e saj.

Znj. Shpresa Kapica, edukatore e sa e sa vogëlushëve në rrethin e Hasit, qe e gatshme të ndihmonte në organizimin dhe realizimin sa më me sukses të këtij karvani, e cila me kontributin dhe punën e saj solli në skenë edhe mozaikun e poezive dhe ilahive, që përçuan emocione të veçanta e të papërsëritshme tek të gjitha të pranishmet.

DSC_0337Prezantimi i “sëndukut të karvanit” nxorri në pah ndjenjën e solidaritetit dhe të humanizmit, mbështetjen dhe përkrahjen që duhet të bëjmë ndaj njëri-tjetrit. Shuma  e grumbulluar në këtë sënduk, nga kontributi material që dhuroi gjithsecila, mundësoi ndihmesën financiare të një familjeje të varfër nga qyteti i Bajram Currit.

Ashtu siç ishte prezente në hapjen e këtij aktiviteti, edhe në mbyllje të tij, ishte znj. Ndriçime Zekaj e cila akordoi çertifikata mirënjohje për të ftuarat e nderit, i falënderoi ato për të gjithë kontributin e dhënë nëpërmjet dhuratave simbolike, në shenjë vlerësimi dhe respekti.

Në përmbyllje të aktivitetit u dha ëmbëlsira tradicionale nga qyteti i Shkodrës, përfaqësuar nga znj. Arjeta Pelinku (nëndrejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”) për qytetin e Bajram Currit, përfaqësuar nga znj. Blerina Hasanaj.

Evenimente të tilla të cilat përcjellin mesazhe të mëdha dhe të qarta, të mbeten gjatë në mendje. Ndjenja më e lartë dhe më e çmuar, që përshkoi secilën nga pjesëmarrëset ishte ndjenja e bashkimit dhe unitetit mes femrave të mbarë trojeve shqiptare.

Pas veprimtarisë, karvani vijoi me ngrënien e drekës dhe shëtitjet nëpër pika turistike të Tropojës e Gjakovës.

Destinacioni i radhës së Karvanit të Femrës Myslimane pritet të jetë qyteti i Peshkopisë.

DSC_0115

Korrik-gusht, 2014