Se ne, bashkëshortët jemi mburojë për njëri-tjetrin!

189

“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” (Er-rum, 21)

Në një moment të jetë sonë, ne të gjithë kalojmë nëpër atë fazë krejtësisht konfuze, aq sa zbavitëse, të çuditshme dhe kaotike të zgjedhjes së partnerit/partneres. Ky rrugëtim i bashkimit të dy individëve lind në momentin e lidhjes (tërësisht botë tjetër nga njëri tjetri) dhe vazhdon deri në përfundim të ciklit jetësor (inshaAllah ky cikël rivazhdon në Xhenet sërish). Me kalimin e kohës kuptojmë se jeta në çift nuk është gjithmonë si nëpër përralla. Gjatë kalvarit tonë kalojmë nëpër peripeci dhe sfida të cilat kërkojnë maturi dhe bashkpunim për t’u kapërcyer me sukses. Dy çështje të cilat i hasim çdo ditë në jetën martesore janë; E para, ndarja e detyrave, apo më saktë ndarja e rolit te gjithësecilit, të gjendurit pranë njëri tjetrit si qënie që drejtohen nga dashuria dhe jo rregullat e shkruara. E dyta, shprehja e vlerësimit dhe dashurisë nëpërmjet veprave apo verbalisht ndërmjet çiftit.
Nëse i referohemi realitetit shqiptar, specikisht bashkëshortit musliman vërejmë se ndoshta nuk jemi aty ku realisht do donim ne femrat të ishim. Shpesh herë mënyra e jetesës, mënyra si jemi edukuar, mentaliteti dhe traditat që na kanë shoqëruar për dekada me radhë bën që sistemi patriarkal të jetë prezent akoma, madje edhe në familjet besimtare. Së dyti, jetimi i fesë në trajtë mekanike gjithashtu nuk ndihmon në arritjen e qëllimit të përbashkët.
Si ilustrim po sjell rastin e një tipiku bashkëshort musliman, por dhe shqiptar njëkohësisht.
Ai është musliman, e do Profetin (a.s.), do Xhenetin, përpiqet të jetoj sipas shembullit te Profetit, por këtu i referohet faljes, vajtjes në xhami, agjërimit dhe ibadeteve që lidhen me të dhe Zotin. Rolin në familje e shikon si dikush i cili ka për detyre vetem furnizimin me ushqim të anëtarëve. Rrjedhimisht, ky bashkëshort nuk është i gjindshëm në nevojat e tjera të familjes, si kujdesi i fëmijëve, ushqimi, përkujdesja ndaj punëve brenda gardhit të shtëpisë. Çdo aktivitet i cili ndodh brenda vatrës familjare e shikon si detyrë të bashkëshortes.
Në të vërtëtë, çift do të thotë dy individë të cilët kanë ndërtuar themelet e marrëdhënies së tyre bazuar në dashuri dhe dhembshuri. Në një martese nuk ka dy vetë, por një çift. Një çift ku individët nuk përpiqen të mësojnë me përpikmëri detyrat e tjetrit dhe t’ja kujtojnë sa herë u jepet mundësia, por më së pari shikon vetveten dhe mundohet të lumturoj atë që ka përkrah. Një çift i cili edhe nëse anija e tyre ndodhet në mes të dallgëve të forta të detit, sërish ata janë të sigurtë dhe të qetë pasi anija drejtohet nga dashuria për Zotin dhe njëri-tjetrin. Siç thotë Zoti: “ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për ato”. Të dy janë njësoj: petk, mburojë.
Një çift i cili ka dhembshuri dhe sakrifikon cdo gjë për hir të kënaqësisë së tjetrit. Profeti i Zotit, Muhamedi (a.s.) ishte lider/prijës, punonte tërë diten me sakrifica nga më të lodhshmet dhe kur kthehej në shtëpi nuk ulej e të shtrihej, por ndihmonte në çështjet e mbarëvajtjes së shtëpisë; nga rregullimi i rrobave të tij e deri tek punët e tjera si gatimi, kujdesi ndaj bagëtisë etj. Dhe jo vetëm kaq, por ishte romantiku më i madh. Ishte ai që Aishes i tha: “Fytyra jote tek sytë e mi është më e shndritshme se drita e hënës”. Pikërisht kjo është pika e dytë ku doja të ndalesha. Përpjekja për të bërë partnerin/en tuaj të ndihet mirë, i/e dëshiruar, i/e vlerësuar. Nëse jini kurioz të dini nëse a e përmbushni këtë kriter, pyeteni veten se kur ishte hera e fundit që i keni thënë bashkëshortes/bashkëshortit se sa e bukur eshte, se sa shijshëm gatuan, se ju jeni burri/gruaja më i/e lumtur që keni në krah një njeri të tillë. Secili nga ne ka mundësi të një dhuratë modeste; qoftë një çokollatë, një lule e këputur në kopsht, apo një copë letër ku i shkruani një dedikim zemre. Një buzëqeshje për bashkëshoritn kur ai hap derën e shtëpisë, një përkedhelje në kokën e gruas largon çdo brengë që ata mund të kishin deri në atë çast. Nuk është e vështirë të lumturosh zemrën e një gruaje, por as të një burri në fakt.
Ne jemi si çelësi e kyçi që s’funksionojnë pa njëri-tjetrin. Mos e besoni teorinë se çdo gjë ka kohën e saj, se koha që ikën nuk kthehet më. JO! E tërë jeta mund të jetë “muaj mjalti”, nëse vërtet punohet nga të dyja palët.
Dhe tani, nëse ju ka marrë malli për kohën kur lodronit si fëmijë, për të qeshurat plot zhurmë, për shikimet plot dashuri, merrni telefonin dhe dërgoni një mesazh duke pohuar se ju ka marrë malli për atë kohë. Nesër thurini disa vargje, pa rimë me rimë s’ka problem, thjesht thurini. E nëse egoja ju pengon: Harrojeni egon dhe kujtoni Xhenetin, sepse Xheneti dhe të qenit së bashku në këtë jetë e në botën tjetër është më e dashur për ne sesa një ego e sëmurë.
Ne e duam Xhenetin dhe e duam atë me familjen tonë. Kështu që nëse herën tjetër gruaja apo burri ju thotë se e ke detyrë nga Allahu të bësh këtë e atë, merrjani dorën e thoni: “Më ndihmo ti të kryej urdhrin e Allahut!”

Brunilda Basha

Revista Familja, gusht-shtator 2016