Shqiptarja e Palestinës (I)

56

Shtigjet e shkronjave shumë herë janë më të çuditshëm e më tekanjozë se shtigjet e rrugëve që ti i shkel në botë. Të rrugëve ajrore e të atyre që të marrin në detet mes jeleve të dallgëve shkumëbardha. Mes rrugëve gjelbërore apo mes rrugëve të shkretëtirave. Edhe pse një ditë bashkohen si miq të mirë. Ato, rrugët e largëta e të afërta, rrugët e mallit dhe rrugët e kureshtive bashkohen me shkronjat kur ti kërkon që të shkruash mbresat, motivet, të veçantat, gëzimet, trishtimet, me të cilat janë mbushur të gjitha rrugët. Ky meditim më erdhi kur nisa të shkruaja për shqiptaren e Palestinës. Suzana ka 17 vjet që jeton mes ëndrrave dhe trishtimeve të popullit të Palestinës, të krismave të luftës dhe ëndrrës së paqes. Si një shqiptare, si një besimtare e mirë e fesë islame në namazet e ditëve i lutet Zotit, jo vetëm për Shqipërinë, atdheun e saj, por edhe mbarësinë e Palestinës, me të cilën e lidhin tre fëmijët e saj të mirë. Lutet edhe për bashkëshortin e saj që në vitet e fundit pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në burgjet izralelite. I sëmurë, pa parë as fëmijët e tij, që po rriten pa përkëdheljet atërore…

Kur shkoja si gaztetar në vitet ‘90 në Poliçan dhe shkruaja për jetën në këtë qytezë të vogël rrëzë Tomorit, as nuk e mendoja se një ditë një banore e saj e re që ishte vetëm 18 vjeç, vetëm pas pak vitesh do të bëhej pjesë e jetës së Palestinës. Mbase është e vetmja ose ndër të rrallat shqiptare në Hebron. Vetë Suzana na thotë se nuk ka një shoqe shqiptare në Hebron të Palestinës, me aq informacion sa ka ajo. Ka shumë mall për Shqipërinë, për Poliçanin e saj të vogël midis Beratit dhe Skraparit të bukur, si një grusht me shtëpi që rrijnë në prehër të Tomorit të lashtë e të lartë. Ka një rrëfim shumë të bukur, gati poetik, kur tregon për jetën e saj shumë të dhembshme. Mos është vallë malli për familjen, për shkronjën shqipe, për shoqet?! Mos është dhembja shumë e madhe që ajo vazhdon të përjetojë me ndarjen për së gjalli nga familja, në këtë kohë kur bota po bën të gjitha përpjekjet që të bashkohet mes kufijve të saj, mes feve të ndryshme që ajo ka, mes kulturave shpesh edhe të kundërta?

Tani ka mbushur moshën e 37 viteve jetë e ka tre fëmijë me emra të zgjedhur të fesë islame. Rrjedhën e jetës së saj, e sidomos kthesa që mori për ta lidhur pas pak vitesh me Palestinën, ajo e tregon thjeshtë. Madje nuk ngurron që të përdorë edhe vargjet e poezive të saj, që mbase janë strofat që ajo i thotë përmendësh në këto vite të një ndarjeje të detyruar nga vendlindja e saj, nga Shqipëria ku nuk ka ardhur që prej 22 vitesh. E nuk e di se kur mund të vijë si vajzë shqiptare, si një qytetare e botës.

“Mes kodrave plot rrudha ndodhet qyteti im. Një qytet i vogël që quhet Poliçan. Qyteti në të cilin u linda dhe kalova fëmijërinë time. Kam lindur në vitin 1976 dhe e kam kaluar fëmijërinë time në një shtet komunist dhe as fjalën ‘Zot’ nuk e dinim ç’do të thoshte. Në shkollë mësonim mësime që ishin kundër Zotit. Çdo gjë u krijua vetë nga natyra… Kalova kështu jetën time, derisa në 1991 u bë Shqipëria demokratike dhe u lejuan të gjitha fetë në të. Çdo njeri në vetvete kërkon një fuqi të madhe që të mbështetet tek ajo, se pa të nuk është gjë. Kërkon, po nuk e di, nuk e gjenë. Janë poezitë e mia të asaj kohe që e shprehin më qartë. Gjithçka kërkon një emër. Gjithçka!

Gjithkush kërkon një emër,

dhe lulet kokën ngrejnë nga qielli,

dhe pemët kërkojnë ta arrijnë atë,

dhe zogjtë fluturojnë në hapësirën e tij,

dhe malet të zhytur kokën mes resh,

dhe deti dallgët kërkon t’i ngrejë nga qielli.

Gjithçka kërkon ta arrijë qiellin,

e njeriu me sy të verbuar kërkon në tokë,

a thua se ajo i duket qiell?!”

Ka qenë 18 vjeç atë ditë kur po ecte në rrugët e qytetit të saj, Poliçanit. Një shoqja e saj e ndaloi dhe i tha që të shkonte me të, se diku në atë qytet ishte hapur një kurs për të mësuar fenë. Suzana e pa pak e habitur. Ajo nuk e dinte se një ditë e tillë, një kërkesë e tillë do të ndryshonte të gjithë rrjedhën e jetës së saj. I premtoi, ashtu pa dashje, se do të shkonte me të.

Vajtën atje dhe i thanë se do t’ia regjistronin emrin dhe i kërkuan të shkonin po qe se kishin kohë të lirë. Kohën e lirë nuk ishte vështirë që ta gjeje në atë qytet, ku edhe aktivitetet nuk ishin të shumta. Mendoi se aty do ta kalonte dhe kohën e saj të lirë. Kursin e drejtonte një mësues arab nga Egjipti dhe një nga Tunizia, ishte edhe një përkthyes. Suzana u bë pjesë e këtyre mësimeve, po merrte mësime për fenë islame dhe mësime për Kuranin. Deri në atë kohë kjo vajzë kishte shumë pyetje për jetën, për të kaluarën e për të ardhmen, e duke qenë në një vend ateist nuk kishte se ku ta mësonte fenë. Mbi të gjithë dallohej një mësues nga Tunizia që i mësoi parimet kryesore të fesë islame, të praktikimit të saj në jetën e përditshme. Tani ajo kujton ditët e para dhe ndryshimet që pësoi ndërgjegjja e saj: “Feja islame është një fe e drejtë që s’ka dyshim. Ka shumë obligime. Ka qenë dhe e vështirë për ne në atë kohë që të faleshim 5 herë në ditë, që të agjëronim Ramazanin, që të visheshim me të gjata etj., etj.; por kur i përforcohet një njeriu besimi, çdo gjë e shikon më të lehtë. Aty mësova që ato ishin urdhëra nga i Madhi Zot dhe nuk duhet t’i kundërshtonim ato. Kam qenë dhe e re në atë kohë, por…”.

Më tej Suzana hap arkivin e saj poetik të poezive të para dhe na citon njërën prej tyre. Është poezia “Braktisja e ëndrrave”:

I braktisa ëndrrat, i braktisa dëshirat,

I braktisa tekat e jetës; i braktisa… I braktisa të gjitha.

Më pëlqen të kërcej në melodinë e një kënge,

më pëlqen që era të m’i valëvisë flokët,

më pëlqen të vishem sa më sportive,

më pëlqen ta jetoj rininë time, më pëlqen…

Por gjithçka është vendosur nga i Madhërishmi Zot,

përpara Tij askush nuk del dot,

prandaj i braktisa të gjitha ëndrrat, dëshirat, tekat e jetës;

i braktisa të gjitha, të gjitha për të mos më braktisur Ti, o Zot.

E pra kjo poezi ishte edhe historia poetike e kthesës, që kushedi se ku kishte mbetur deri tani pas 22 viteve, kur ajo na e citoi sikur ta kishte bërë para një ore. Kështu që vendosi të veshë shami, ajo dhe një shoqja e saj. U zgjodh datëlindja për të vënë shaminë. Po mbushte 19 vjeç. E uronte veten: “Le të jetë e mbarë për mua kjo jeta tjetër, tani që po mbulohem…..”. Nuk ka qenë një gjë e lehtë veshja e shamisë për të. Prindërit nuk donin. Nëna e saj, që prej 10 vitesh është ndarë nga jeta (Zoti e mëshiroftë atë), qante dhe i thoshte: “Si do ta bësh të ardhmen tënde kështu me shami?”. Lotët e saj i shkaktonin shumë dhimbje shpirtërore, por i jepte kurajë vetes duke menduar se po e bënte për të fituar kënaqësinë e Zotit. Shumë njerëzve nuk iu pëlqente veshja e saj dhe talleshin me të: “Ju që shkoni pas arabëve jeni të prapambetura!” Ishte e fortë. Nuk i interesonin mendimet e të tjerëve, sepse ishte e e bindur që ishte në rrugë të drejtë. Ata qeshnin, qeshnin dhe vazhdonin të qeshin dhe ajo ecte, ecte dhe vazhdonte të ecte me shpejtësi. Mendonte se ata do të lodhen e do pushojnë së qeshuri, ndërsa ajo do të vazhdojë, do të vazhdojë të ecë. (Vazhdon ne numrin tjeter…)

Mars-prill 2013