Si të kontrollojmë sjelljet agresive

317

Psikologe Suela  Caca Tafa

Njeriu është qenia më e përsosur ndër të gjitha qeniet e tjera, i krijuar me virtytet më të larta, me logjikë të shëndoshë për të ecur në këtë botë me hapa të sigurtë, për t’u ballafaquar edhe me sprova dhe vështirësi. Pjesë e mangësisë së tij është humbja herë pas here e ekuilibrit dhe vështirësia e të qenit stabil, duke bërë që të harrojë porositë e Krijuesit për butësi, durim, vetëkontroll etj. Kjo bën që njeriu të bie nën grackën e konflikteve me të tjerët, nga ku zakonisht burojnë sjelljet agresive. Nga natyra njerëzit dallojnë prej njëri tjetrit qoftë nga personaliteti, edukimi, mënyra e sjelljes etj. Por kjo nuk mund të jetë arsye që të konfliktohet, përkundrazi ky ndryshim duhet të jetë shkak për njohje dhe bashkëpunim duke përfituar eksperienca të reja. Allahu thotë: “O njerëz! Ne me të vërtetë ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj dhe fise për t’u njohur (mes vetes).” (Huxhurat, 13)


Por çfarë është agresiviteti?
Agresiviteti është një fenomen shumë i gjerë. Për t’i dhënë një përkufizim sipas psikologëve quajmë atë veprim apo sjellje që shkaktohet nga qëllimi paraprak për të dëmtuar fizikisht ose psiqikisht, për të fyer apo asgjësuar një individ apo një grup të caktuar. Në një tjetër përkufizim, agresiviteti shihet si prirje të një individi për të sulmuar dhe dëmtuar qoftë fizikisht apo moralisht. Duke qenë se agresiviteti është i pranishëm në çdo moshë, si tek të rriturit por edhe tek fëmijët, do ta shohim në mënyrë të përgjithshme këtë fenomen.
Kur priret njeriu të shfaqë agresivitet?
Njeriu priret të bëhet agresiv kur i shkelen të drejtat dhe liritë njerëzore të tij. Ndaj si zgjidhje të shpejtë dhe i shtyrë nga mërzia ndërmerr hapa ekstreme duke ia kthyer me të njëjtën monedhë. Një tjetër arsye që e çon njeriun në agresivitet është: Reagimi ndaj frustrimit. I rrethuar nga fenomenet e jashtme jetësore që i pengojnë arritjen e synimeve për të arritur qëllimiet dhe realizuar dëshirat njeriu priret të ndihet agresiv, herë pas here del nga vetvetja aq sa nuk ja njeh dot vetes një sjellje të caktuar agresive, pasi ka qenë e fshehur për të deri kur keqmenaxhimi i një situate në të cilën përballet e bën të humbasë ekuilibrin që karakterizon personalitetin e tij.
Disa studime tregojnë se kjo formë reagimi është e trashëguar, domethënë e lindur, por të dhënat më të reja shkencore tregojnë se sjelljet agresive fitohen gjatë jetës, pra është një formë e sjelljes së mësuar. Ajo që është më e rëndësishme është se me sjellje agresive njeriu mësohet që në fëmijërinë e hershme duke filluar që nga ndikimi i prindërve të cilët mund të jenë agresivë duke ushtruar ndikim në zhvillimin e sjelljes agresive tek fëmija. Një tjetër mënyrë e përçimit të agresivitetit tek fëmija është edhe kur prindi i plotëson të gjitha dëshirat e fëmijës me qëllim që ta largojë nga sjelljet agresive, por në fakt arrihet efekti i kundërt, duke e bërë agresivitetin të ndikohet prej shkaqeve.
Një tjetër arsye që fëmija zgjedh si mënyrë të tijën agresivitetin është imitimi, qoftë nëpërmjet prindërve apo edhe familjes, duke ditur se fëmija më së shumti modelon sjelljet duke i zhvilluar ato me rritjen e tij në moshë.
Një rol kyç përveç familjes në sjelljet agresive kane edhe institucionet kopshti, shkolla duke mos i kushtuar rëndësi edukimit dhe komponentëve të tij.
Të gjitha këto mënyra marrin zhvillim me përmasa të mëdha në saj të një personalitetit të keq formuar dhe i ndikuar nga faktorët e dëmshëm të cilët bëjnë që individi të prishë ekuilibrin emocional.
Si të kontrollojmë e zvogëlojmë sjelljet agresive?
Siç e përmendëm më lart, një rol kyç për zbutjen e intesitetit të agresivitetit është kultura e familjes dhe angazhimi i saj në zëvendësimin e sjelljeve agresive, qoftë kjo në fjalë apo në veprime me zemërgjerësi, altruizëm, butësi nëpërmjet kontrollit të vazhdueshëm. Allahu thotë: “Andaj të keqen ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai me të cilin kishin njëfarë armiqësie do bëhet një mik i afërt.” (Fusilet, 34)
Islami kërkon që të jemi tolerant, të sjellshëm dhe të gëzueshëm, sigurisht nuk përjashtohet ndjenjat e zemërimit apo hidhërimit, që të çojnë në agresivitet por kërkohet që vetëkontrolli ta mposhtë agresivitetin. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk është trim ai që fiton në mundje, por trim është ai që e përmban veten nga zemërimi.”
Një rol të rëndësishëm për të kontrodhuar agresivitetin është pikërisht shkolla, si institucioni më i rëndësishëm i edukimit dhe mirërritjes së brezave të ardhshëm, por gjithashtu shkolla është dhe vendi ku burojnë fenomene të caktuara negative si bullizmi, dhuna fizike etj., të cilat përveç dëmeve të mëdha që mbartin në vetvete, çojnë dhe në stimulim të agresivitetit ku “ligji i xhunglës’’ kthehet në trend për adoleshentët. Shkolla ka rolin që të mbrojë fëmijët duke dënuar pikërisht agresivitetin, duke përdorur mënyrat e duhura, konstruktive dhe disiplinore, sepse dëmet e një fëmije apo adoleshenti janë të gjithanshme në rast dhune. Duhet përmendur në mënyrë specifike se të qenit agresiv lë pasoja të mëdha në zhvillimin e fëmijës, e parë kjo në dy dimensione; atë akademik ku fëmija e ka mjaft të vështirë ose të pamundur të nxërë dhe përthithë dije nëse ndihet agresiv (përmend ndihet pasi nuk ka rëndësi gjithmonë nëse janë të dukshme shenjat e agresivitetit, të ndihesh i tillë ka të bëjë me pjesën e brendshme). Gjithashtu aspekti social që ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës. Askush nuk i afrohet një fëmije agresiv, po ashtu ky i fundit nuk mundet të jetë social pasi nuk ndihet rehat me vetveten dhe nuk i do të tjerët pranë.
Një mënyrë për të ulur agresivitetin tek të rriturit është edhe të mos i shohësh gjërat në rangun personal, por të kuptosh që në shoqërinë ku jeton njerëzit përballen me vështirësi të shumta. Shpesh personaliteti apo ndoshta mungesa e një edukimi të mirë i vendos në situata të caktuara që t’i zgjidhin gjërat shkurt por në mënyrë të dëmshme gjithsesi. Zgjidhja është të menaxhosh veten mirë në situate tensioni, të kesh vetkontroll aty ku duhet, që jo gjithmonë nënkupton heshtjen por të diskutuarit e gjërave në mënyrë konstruktive dhe duke parashtruar argumentin mbi atë që synon, duke shmangur kështu një konflikt të mundshëm që çon në irritim dhe agresivitet. Sot shpesh thuhet se të bindësh dikë mbi idet e tua është mjaft e vështirë por vështirësia qëndron në atë se sa e qas idenë tënde me personin e duhur dhe vendin e duhur. Islami është fe e paqes, pasqyron vlerat e pastra njerëzore që si themel ka pikërisht ruajtjen e dinjitetit dhe ndershmërisë, aty ku nuk humb e padukshmja por merr vlerë superiore tek më i Larti. Një person shkoi i irrituar tek Profeti (a.s.) dhe ai e porositi: “Mos u mërzit!’’.
Një mënyrë për të ulur agresivitetin tek fëmijët është fillimisht t’i shpjegojmë atij se është krejt e natyrshme të mërziten ndonjëherë, por pikërisht këtu qëndron sfida për to, të shfaqin anën pozitive të tyre.
Ruajtja e ekuilibrave në marrëdhënie me to por edhe e fëmijëve me njëri-tjetrin do t’i sillte dobi të shumta, sepse njeriu është krijuar të bashkëjetojë me të tjerët si rrjedhojë të ndërveprojë por ndërveprimi duhet të jetë duke respektuar njëri-tjetrin.
Përpiquni ta vendosni fëmijën në pozicionin e tjetrit në rast irritimi duke vendosur situatën, shkaqet që e çojnë në këtë sjellje dhe pasojat negative.
Një fëmijë duhet të inkurajohet kur është i komunikueshëm, logjikon dhe shprehet qartë. Përpjekja e tij në këtë drejtim duhet të shpërblehet dhe duhet treguar interes në progresin e tij ndaj sjelljeve të mira.

Revista Familja, mars 2017