Zemra e nënës: “Ti Dan je?!”

58

Ishte vjeshta e vitit 2011. Përjashta shtëpisë, në mbrëmje disi vonë, frynte një erë e ftohtë, prej së cilës tundeshin degët e pemëve, që u kishin rënë gjethet që gjelbëronin dikur. Qielli ishte i vrenjtur dhe nga çasti në çast mund të binte shi. Ndërsa, ditë më parë, majat e maleve përreth qytetit kishin nisur të zbardhëlloheshin nga dëbora. Në këtë natë të vonë nuk prisnim të kishim vizitorë si ditë më parë. Papritmas bie zilja e derës. Zonja e shtëpisë hap derën dhe me gëzim të…

papërmbajtur sheh tre nipat: Ensarin, Amarinin, Mesedin dhe vajzën tonë, Edlirën, e cila u kishte hedhur krahët fëmijëve. Në ato çaste unë nuk lëviza nga divani. Isha duke shfletuar me vëmendje pjesë nga “Ditari im i vonuar”, që kisha filluar ta shkruaja 55 vjet më parë. Fëmijët dhe vajza më përshëndetën ngrohtësisht dhe pastaj, duke më lënë në qetësinë time, ata u afruan tek nënë Nezihaja. Pa e zgjatur, ajo mori nga biblioteka një revistë dhe me zë të ulët nisi t’u rrëfejë një tregim, që asaj i kishte pëlqyer. Me sa kuptova tregimi qe shumë interesant, gjë që e kuptova se të tre nipat e mi gjatë leximit nuk flisnin, por dëgjonin me vëmendje të madhe. Pasi tregimi përfundoi ata u drejtuan të tre tek unë.

Mesidi, nipi më i vogël, më afrohet dhe më thotë: “Po ti, gjysh, a do të na rrëfesh ndonjë tregim të bukur si nënë Nezi? Dhe ndërkaq e merr ditarin në duar, e hap rastësisht dhe lexon aty një si titull ‘Zemra e nënës: Ti Dan je?’ – Të lutem, gjysh, na trego diçka për nënën tënde! Atë ne e kemi njohur vetëm nëpërmjet fotografive, por kjo s’na mjafton”. Dashje pa dashje, fillova t’u flas diçka për nënën time të paharruar.

Ishte viti 1956. Atëherë punoja inxhinier në kantierin e naftës, në Patos. Kisha krijuar një familje të re. Prindërit e mi, për shumë arsye, ndër të tjera largësia, mungesa e mjeteve të udhëtimit dhe ekonomia, nuk morën pjesë në dasmën që duhej të bëhej zakonisht. Në fakt, në ato vite dhe në veçanti në kantieret e naftës, nuk mendonte njeri për dasma. Në këto kushte unë e kisha brengë në shpirt faktin që çastin më të lumtur të jetës ta gëzoja me prindërit, me miq dhe me të afërmit. Këtë nuk do ta harroj kurrë. Puna në naftë qe shumë e vështirë dhe e rëndë fizikisht, mendërisht dhe me përgjegjësi. Ajo vazhdonte pa ndërprerje natë e ditë dhe e shpërndarë në shumë rrethe të vendit. Megjithatë, për disa muaj rresht, u përpoqa të bind eprorët e mi të më jepnin disa ditë leje, që të shkoja me gruan time tek prindërit e mi, të cilët ndodheshin në një nga fshatrat më të thellë malorë të Dibrës. Rruga qe shumë e gjatë dhe me peripecira, kështu që gjatë udhëtimit na u desh të ndërronim disa automjete. Ndër to kemi provuar edhe me karrocë që tërhiqej nga kuajt, madje edhe në këmbë. Gjatë rrugës fjetëm edhe përjashta, në një lëndinë pranë një burimi, sepse na u prish makina.

Tek shtëpia e prindërve të mi, që ndodhej e ngritur në një kodër të sheshuar, mbërritëm në orën 12 të natës. Hëna ndriçonte me rrezet e saj të arta, jo vetëm livadhet, por edhe pjesën ballore të shtëpisë. Unë u afrova bashkë me gruan time tek dera e jashtme e shtëpisë dhe trokita. Nga brenda u dëgjua një zë aq i dashur për mua. Ai ishte zëri i nënës time që më lindi, më rriti e më edukoi të isha ai që u bëra. Ende e kam të freskët, megjithëse kanë kaluar disa vite, shprehjen e nënës që tha me zemrën e nënës “Ti Dan je?!”. Menjëherë, duke m’u dridhur zëri, unë iu përgjigja “Po, nënë! Unë jam, hape derën”. Në çast unë e Nezihaja, të çuditur, menduam si kishte mundësi të ndodhte ashtu, pasi nuk e prisnim një pyetje të tillë. Asnjëri nuk e kishte lajmëruar nënën me letra a me telefon, që në ato vite nuk kishte; ajo nuk pati dijeni se ne do të shkonim në fshat. Ajo pyetje e nënës edhe në ditët më vonë na vinte në mendime. Si kishte mundësi që ajo të pikaste ardhjen tonë?! Zakonisht tek prindërit e mi, që cilësoheshin si shtëpi mikpritëse dhe bujare, kur trokiste dikush në derën e jashtme, qoftë edhe në orët e vona të natës, i porsaardhuri merrte shprehjen “Hajde, mirë se keni ardhur!”.

Sapo mbarova këtë rrëfim, të tre nipat e mi u qetësuan dhe besoj se mbeten të kënaqur edhe për sa u tregova, atyre do t’u mbetej në zemër e në kujtesë. Një ditë, befas dhe njëherësh, Ensari dhe Amarini më kërkuan t’u kallëzoja ndonjë ngjarje tjetër për nënën time. Me shumë dëshirë, unë iu përgjigja se do t’u thosha diçka të veçantë, por kisha edhe frikë se do t’i shqetësoja. Dhe nisa fjalën time:

“Ju e dini se unë kam punuar dhe jetuar gjithmonë larg prindërve të mi. Të atillë e kisha profesionin. Për shkak të detyrës dhe punës, shkoja tek prindërit jo më shpesh se një herë në vit. Kështu ndodhi edhe në vitet e fundit të jetës së nënës sime. Atëherë ndodhesha në një qendër pune, afër Konispolit. Më lajmëruan me tepër vonesë se nëna ime ishte e sëmurë rëndë. U nisa, si dhe herët e tjera me mjaft vështirësi, për t’u gjendur sa më parë pranë saj. Me dhjetra kilometra kam ecur në këmbë, rrugë e pa rrugë. Kur hyra në zonën time, çdo kalimtar që takoja e pyesja se mos dinin gjë për nënën time. Ndonjë më thoshte se e kisha vështirë ta gjeja gjallë. Në fakt, kur hyra brenda pragut të shtëpisë gjeta shumë njerëz, të cilët u gëzuan se kisha vajtur bashkë me Nezihanë. Pa u përshëndetur me të tjerët, u ula pranë shtratit të nënës dhe bashkova duart e mia me të sajë. M’u duk se më njohu. Me dorën e djathtë i përkëdhela ballin e saj. Pastaj mbështeta me lehtësi kokën pranë gjoksit të nënës sime. Pas disa çastesh një i moshuar bërtiti se nëna Fatime ndërroi jetë. Unë, pa ngritur kokën prej gjoksit të saj, klitha dhe me zor shqiptova fjalët: “Nënë, faleminderit, për gjithçka ke bërë për mua! Nuk ndërrove jetë pa dëgjuar rrahjet e zemrës sime pranë zemrës tënde!” Kaq munda të them para nënës sime që nuk merrte frymë më.

Të nesermën, nënën e varrosëm me ceremoni, ku morën pjesë shumë njerëz të afërm dhe të njohur. Në atë varrim, për herë të parë në jetën time, dëshirova të flas para aq të pranishmëve për nënën. Thashë ato fjalë që më dilnin nga zemra, se nëna ime ishte nëna më e mira, më e madhërueshmja se të gjitha nënat e botës, sepse ajo ishte nëna ime.

Të tre nipat dhe vajza më panë se isha përlotur duke folur dhe m’u hodhën në qafë të më përkëdhelnin. Megjithëse të vegjël, ata shqiptuan si nën zë se do të bëheshin si unë, me sjelljen time. Dhe me nënën e tyre dhe aq të prekur në shpirt, u larguan nga shtëpia jonë atë natë.

Pas ikjes së tyre e kisha radhën unë, desha të pushoj sado pak midis atij deti ndienjash që më shpërtheu papritur. Zemra më rrahu fort për zemrën e nënës. Sytë m’u mbushën me lot, pastaj më rridhnin pa pushim. Në ato çaste shoh Mesedin, pa dalë akoma, i cili m’u afrua për të më pyetur pse qaja. “Mesid i dashur!” – i them. “M’u duk vetja sikur isha fëmijë dhe isha pranë nënës, pranë zemrës së saj që më kishte dashur aq shumë! Ah, sikur të ishte kështu, djalë i shtrenjtë!”

Atë natë kam kaluar i mbështjellë, jo në rrobat e fjetjes, por në kujtimet e ëmbla të fëmijërisë për atë njeri që quhet ‘NËNË’!